Bota

Akuzat për helmimin e Navalny me toksinë bretkosash, reagon Rusia: Mashtrim i propagandës perëndimore

Moska ka reaguar ndaj deklaratës së pesë vendeve europiane, sipas së cilës, lideri i opozitës, Alexei Navalny u helmua me një toksinë bretkosash.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova e cilësoi deklaratën si një mashtrim të propagandës perëndimore.

“Kur të jenë të disponueshme rezultatet e testeve, kur të jenë të disponueshme formulat për substancat, do të ketë një koment”, tha ajo.

Dy vjet pasi Konferenca e Sigurisë në Mynih u trondit nga lajmi për vdekjen në burg të Aleksej Navalnyt, shërbimet sekrete të pesë vendeve perëndimore deklaruan në një notë të përbashkët se opozitari rus u helmua me epibatidinë, një neurotoksinë vdekjeprurëse e nxjerrë nga bretkosat helmuese shigjetë të Ekuadorit. “Vetëm shteti rus kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për të përdorur këtë toksinë vdekjeprurëse për të goditur Navalnyn gjatë burgimit të tij në një koloni penale ruse në Siberi, dhe ne e konsiderojmë përgjegjës për vdekjen e tij”, përfundon deklarata.

Dy vjet më parë, autoritetet ruse ia atribuuan vdekjen e Navalnyt në një koloni penale mbi Rrethin Polar Arktik një “kombinimi sëmundjesh”. Një njoftim që u prit me skepticizëm. Tani dyshimet janë konfirmuar nga laboratorët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Suedisë dhe Holandës, të cilët kanë gjetur gjurmë të toksinës në mostra indi të marra fshehurazi nga trupi i Navalnyt dhe të nxjerra kontrabandë jashtë Rusisë.

Epibatidina është një alkaloid shumë toksik i nxjerrë nga lëkura e bretkosës helmuese të Amerikës së Jugut të quajtur Epipedobates tricolor, ose bretkosa shigjetë. Ajo u zbulua për herë të parë nga kimisti amerikan John Daly në vitin 1974, por struktura e saj molekulare u përcaktua plotësisht vetëm në vitin 1992. Bëhet fjalë për një neurotoksinë të fuqishme që vepron mbi receptorët përgjegjës për transmetimin e sinjaleve të dhimbjes dhe kontrollin e lëvizjes në të gjithë sistemin nervor qendror dhe periferik.