Këshilltari i PD-së në Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka kërkuar në mbledhjen e Këshillit që të përcaktoheshin shkaqet dhe të jepej zgjidhje për fasadat e pallateve në kryeqytet, pas zjarrit të rënë në kompleksin Arlis.
Lidhur me bonusin prej 40 mijë lekësh të qirasë për familjet e prekura, Alimehmeti tha se nuk mund të trajtoheshin të gjithë të prekurit njësoj. Ai kërkoi që të bëhej një pasqyrim i qartë i gjendjes së familjeve të prekura dhe më pas të jepej ndihma për ta.
“Duke qenë se ky rast u bë tejet mediatik, kuptuam sesi me një flakë tejet të vogël mund të digjet një pallat. Copy Caty ekziston si fenomen. Dhe për këtë duhet një veprim i shpejtë. Dhe megjithëse kjo ishte për një fatkeqësi si ky tip, unë prisja që të mblidhej Komisioni i Këshillit Bashkiak për emergjencat civile. Tani unë nuk di kë vendim të votojmë, këtë me afat apo atë pa afat. Në këtë aspekt nevojitet një plan. Ne e dhamë propozimin. Ne shkojmë me parimin që do e rikonstruktojë ky zotëria. Ka marrë një plan tjetër bashkia nëse ky nuk e bën? Nëse falimenton? Dhe e dyta, është vendosur një shifër 40 mijë lekë për këdo. Është një ndihmë, ndërkohë që aty nuk është bërë një listë sa banorë janë, a kanë fëmijë, a janë të vjetër, a kanë nevoja të veçanta, a janë të sëmurë. Nuk mund t’i trajtojmë të gjithë njësoj, s’kanë të gjithë të njëjtat halle”, tha mes të tjerash Alimehmeti.
Më tej Alimehmeti, duke folur për projektvendimin e Këshillit të Ministrave për kompensimin me 50 lekë për litër nafte të kompanive të transportit urban, tha se në Shqipëri nuk ka krizë nafte.
Sipas Alimehmetit, çmimi i naftës sot në bursat ndërkombëtare është më i ulët se në vitin 2012. Ai shtoi se rritja e çmimit të naftës në Shqipëri bëhet nga një dorë njerëzish për përfitime personale.
“Përsa i përket subvencionimit të naftës, të jemi të qartë, sepse përdoret shpesh kjo jo kriza, jo lufta. Sot çmimi i naftës në bursë, sepse në bursë e blejmë ne jo në Hormuz, është më i ulët sesa ishte në në vitin 2012. Sot është 101, ka qenë 120 në 2012. Pra është një dorë njerëzish që ka rritur disa çmime”, vijoi më tej Alimehmeti.