Departamenti Amerikan i Shtetit iu ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë në mbarë botën që të tregojnë kujdes të shtuar, ndërsa konflikti mes Iranit, SHBA-ve e Izraelit përshkallëzohet dhe sulmet po bëhen gjithnjë e më intensive
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë një njoftim të Departamentit të Shtetit, ku këshillohet që qytetarët amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar pas nisjes së operacioneve luftarake të SHBA-ve në Iran.
Sipas njoftimit, amerikanët, veçanërisht ata që ndodhen në Lindjen e Mesme, duhet të ndjekin udhëzimet e sigurisë të lëshuara nga ambasada ose konsullata më e afërt e SHBA-ve. Paralajmërohet gjithashtu se mund të ketë ndërprerje të udhëtimeve për shkak të mbylljeve periodike të hapësirës ajrore.
Njoftimi i plotë:
Departamenti i Shtetit u këshillon amerikanëve në mbarë botën të tregojnë kujdes të shtuar. Pas nisjes së operacioneve luftarake të SHBA-së në Iran, amerikanët në mbarë botën dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme duhet të ndjekin udhëzimet në alarmet më të fundit të sigurisë të lëshuara nga ambasada ose konsullata më e afërt e SHBA-së. Ata mund të përjetojnë ndërprerje të udhëtimit për shkak të mbylljeve periodike të hapësirës ajrore.
Veprimet që duhen ndërmarrë:
Kur planifikoni udhëtime jashtë Shqipërisë, lexoni me kujdes Këshillat tona për Udhëtime, informacionin mbi vendin dhe çdo njoftim të fundit në https://travel.state.gov/en/international-travel.html .
Regjistrohuni në step.state.gov për të marrë përditësimet më të fundit të sigurisë nga ambasada ose konsullata më e afërt e SHBA-së me anë të email-it.
Amerikanët në Lindjen e Mesme duhet të ndjekin udhëzimet më të fundit nga ambasada ose konsullata më e afërt e SHBA-së dhe të kontaktojnë Task Forcën tonë 24/7 për të marrë informacion dhe ndihmë me opsionet e udhëtimit për t’u kthyer në shtëpi të sigurt.
+1-202-501-4444 (nga jashtë shtetit)
+1-888-407-4747 (nga SHBA-ja dhe Kanadaja)