Aktualitet

Ambasada italiane del me njoftim: Shkuam në Berat dhe paguam faturën e turistëve italianë me paratë e Melonit

Pasi Ambasada Italiane njoftoi se kreu porosinë e Melonit për të paguar faturën për 4 turistët italianë të cilët nuk shpërblyen restorantin në Berat për porosinë, ambasada ka dhënë një njoftim të dytë.

Pas kritikave të opozitës italiane të cilët shpreheshin se fatura është paguar nga fondet publike, ambasada italiane sqaron se llogaria është paguar nga paratë e kryeministres italiane. Në pamundësi të shefes së qeverisë italiane për të shkuar vetë në Berat, pagesa u krye nëpërmjet ambasadës italiane.

“Janë përdorur fondet personale të Melonit. Pagesa është shlyer me fondet personale të kryeministres Meloni nëpërmjet Ambasadës, e cila e kishte të pamundur të shkonte personalisht për të kryer pagesën në restorant”- thuhet në njoftimin e dytë të ambasadës italiane.

Më herët, ambasada italiane bëri me dije se llogaria për 4 turstët italianë të cilët ikën pa paguar nga restoranti në Berat është kryer me sukses, por pas kritikave të opozitës u dha një sqarim më i hollësishëm.

Indinjata
Ndërkohë pamjet e bëra nga një kamera e sigurisë pranë restorantit, pasi u shpërndanë në mediat shqiptare dhe në Tik Tok, tashmë ndodhen në faqet e para dhe të shumë mediave të rëndësishme italiane duke ngjallur indinjatë dhe mes italianëve.

Kryeministrja Giorgia Meloni u largua mbrëmë në orën 23.30 me tragetin Prince drejt Brindizit, ashtu siç edhe erdhi, pasi qëndroi 3 ditë si e ftuar në rezidencën qeveritare nga kryeministri Edi Rama. Bashkë me Melonin ishin dhe familjarët e saj dhe vajza e mitur.

Gjatë qëndrimit në Vlorë, Giorgia Meloni u tregua shumë e rezervuar në daljen në publik dhe përveç një udhëtimi me varkë në Karaburun, doli vetëm pasditen e djeshme nëpër rrugët e qytetit bregdetar, bashkë me Edi Ramën për një kafe në lokalet aty, e për të vizituar më pas Konsullatën italiane. Gjatë shëtitjes u takua me disa dhjetëra italianë që gjatë këtyre javëve kanë pushtuar Vlorën për pushime.