Bota

Amerika furnizon Ukrainën me raketa të avancuara!

Administrata Biden njoftoi se do t’i dërgojë Ukrainës një numër të vogël të sistemeve të raketave të teknologjisë së lartë me rreze të mesme veprimi. Liderët ukrainas kërkuan të furnizohen, ndërsa po hasin në vështirësi që të pengojnë përparimin e Rusisë në rajonin lindor të Donbasit. Sistemet e raketave janë pjesë e paketës së re të ndihmës ushtarake në vlerë 700 milion dollarë që Amerika ka ndarë për Ukrainën. Aty përfshihen edhe helikopterë, Javelin, makina e pjesë rezervë për armë.

Në një shkrim të publikuar në “The New York Times”, presidenti Biden konfirmoi se ka vendosur t’i ofrojë ukrainasve sisteme më të avancuara të raketave dhe municione, që do t’iu mundësojnë të kryejnë sulme më preçize ndaj shënjestrave kyçe në Ukrainë. Në fillim të javës, shefi i Shtëpisë së Bardhë saktësoi se “Amerika nuk do të dërgojë në Ukrainë sisteme të raketave që mund të godasin brenda Rusisë”. Çdo sistem i armëve mund të shënjestrojë objektivat në Rusi, nëse janë pranë kufirit.

Ukrainasit e siguruan Amerikën se ata nuk do të hedhin raketa brenda territorit të Rusisë. Ukraina mund të përdorë raketat në rajonin lindor të Donbasit, edhe për të penguar sulmet me artileri të Rusisë apo për të larguar forcat e Moskës nga pozicione ku ka luftime të ashpra, siç është qyteti Severodonjeck. Severodnjecku është i rëndësishëm në përpjekjet e Rusisë për të marrë Donbasin para se të arrijnë armët perëndimore që do të forconin mbrojtjen ukrainase. Ky qytet gjendet 140 kilometra në jug të kufirit rus dhe është më i madhi nën kontrollin ukrainas në rajonin Lugansk.

Zyrtarët amerikanë konfirmuan se “plani është që të dërgojnë në Ukrainë, sistemin e armëve të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë apo HIMARS, i cili mund të vendoset në një kamion dhe të mbajë deri në gjashtë raketa”. Që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, SHBA-të dhe aleatët, ndihmuan Ukrainën me armë për të luftuar forcat ruse. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet që Perëndimi të dërgojë në shtetin e tij sisteme raketash, në mënyrë që forcat e Kievit të ndalin ofensivën ruse në Donbas.