Analisti Arjan Curri ka realizuar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pati mundësinë të takohej me këngëtaren e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku.
Gjatë një interviste për emisionin “Top Story”, Curri shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e rëndë shëndetësore të këngëtares, duke theksuar se ajo ka nevojë për trajtim urgjent për të pasur mundësi për t’u shëruar.
Në intervistën e tij, Curri tha se takimi me Parashqevi Simakun ishte shumë emocional dhe se ende po përpiqej të përballonte ndikimin që pati historia e jetës së saj, të cilën ai e konsideron tragjike. Ai shtoi se situata e këngëtares është më serioze dhe më e vështirë nga sa është paraqitur në publik, duke aluduar se rrethi i ngushtë dhe miqtë e saj nuk dëshirojnë të pranojnë realitetin e plotë të gjendjes së saj.
Sipas analistit, aktualisht po bëhen përpjekje për të siguruar mbështetje mjekësore për Parashqevi Simakun, e cila ka kontribuar shumë në muzikën shqiptare, por ka probleme shëndetësore serioze, si në nivel fizik ashtu edhe psikologjik.
Curri theksoi se dashuria për një person nuk duhet të shfaqet vetëm me praninë fizike apo mbështetje materiale, por edhe me asistencë për trajtimin e shëndetit të tij.
Ai e cilësoi historinë e këngëtares si shumë dramatike dhe tha se do të mbetet i rezervuar deri në momentin që ata që janë më të afërt me të të vendosin të flasin për të vërtetën.
Historia është shumë dramatike dhe tragjike, dua të rezervohem deri në momentin që njerëzit e saj duan të thonë të vërtetën. Nuk mund të fshihen shumë gjatë sekretet për jetën e saj. Jam i tronditur, ende nuk e kam marrë veten nga ajo vizitë
– tha Curri, duke pranuar se është ende i tronditur nga ajo që pa gjatë vizitës së tij.