Pete Hegseth ka akuzuar “deep state” për një sërë problemesh që po përfshijnë Pentagonin, ndërsa spekulimet vazhdojnë të rriten për të ardhmen e tij si sekretar mbrojtjeje.
Hegseth u shfaq në televizion të martën në mëngjes, duke insistuar se materiali i klasifikuar, nuk ishte shpërndarë në dy grupe, në aplikacionin e mesazheve Signal.
Më herët këtë javë u zbulua se Hegseth ka diskutuar për planet e detajuara të betejës në Signal, dy herë brenda disa muajve. Në rastin e dytë, gruaja e tij, vëllai dhe avokati ishin anëtarë të grupit që merrnin mesazhe. NBC News raportoi të martën se informacioni i ndarë, vinte nga Gjenerali Michael Kurilla, i cili udhëheq Komandën Qendrore të SHBA-së, dhe ishte kaluar tek Hegseth duke përdorur një sistem të sigurt të qeverisë amerikane.
LEXO EDHE: Gafa e administratës Trump, ja si u shtua gazetari në grupin e zyrtarëve amerikan
Ky incident vjen pas një ngjarjeje të ngjashme muajin e kaluar, ku planet e goditjes kundër Huthëve ishin shpërndarë në një grup që përfshinte një gazetar nga revista The Atlantic.
“Fillimisht ishin gazetarët e majtë nga The Atlantic që e morën dhe që donin të krijonin një problem për presidentin,” -tha Hegseth në Fox & Friends. “Ky është qëllimi, përpjekja për të sulmuar Presidentin Trump dhe agjendën e tij. Në departamentin e mbrojtjes ne e marrim shumë seriozisht klasifikimin e informacionit… prandaj kur kemi rrjedhje, të cilat i kemi pasur, kemi bërë një hetim të thellë.”
Përpjekja e Hegseth për të lidhur ndarjen e informacionit të Pentagonit në Signal, me një hetim më të gjerë për rrjedhjet në departamentin që ai drejton, tregon qartë se ka krijuar një krizë në më pak se tre muaj në detyrë.
Ai gjithashtu insistoi se puna e tij ishte të sigurojë të pastronte “ideologjinë woke” dhe të nxisë rekrutimin, një përpjekje që ai tha se po funksiononte.
Disa kanë përshkruar një departament që përpiqet të kalojë nga një katastrofë në tjetrën. “Zyrtarët e Pentagonit po jetojnë çdo ditë në frikën e shkarkimit,” tha një zyrtar për The Times. “Kjo po shkakton një shpërqendrim të madh dhe do të isha i shokuar nëse Hegseth vijon të jetë për shumë kohë sekretar mbrojtjeje.”
Trump duket i kënaqur me shefin e tij të mbrojtjes për momentin, pasi i tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të hënën: “Ai po bën një punë të shkëlqyer. Pyesni Huthët se si po bën.”
Trump dhe Hegseth folën të hënën mbrëma. Çfarë diskutuan ata nuk u zbulua, por raportet nga administrata sugjerojnë se po shqyrtohen emra të tjerë, në rast se pozita e Hegseth bëhet e paqëndrueshme.
Trump rrezikon shumë, duke pasur parasysh rrugën që u ndoq për të emëruar Hegseth në këtë rol. Mes akuzave për mënyrën sesi Hegseth i trajton gratë — një email nga nëna e tij u bë publik para disa muajsh, duke e akuzuar atë për abuzim — dhe akuzave, që ai i mohon, për konsum të tepruar alkooli, Trump kishte injoruar thirrjet e ndihmësve për ta shkarkuar Hegseth-in.
Trump ka shpenzuar shumë kapital politik në Capitol Hill, duke i kërkuar senatorëve republikanë të konfirmonin emërimin e tij, megjithë shumë dyshime publike dhe, madje, edhe më shumë dyshime private nga mbështetësit e tij më të mëdhenj në Kongres.
Deri tani Trump nuk ka treguar asnjë shenjë se do ta shkarkojë shefin e tij të mbrojtjes. Sipas raporteve, presidenti e sheh shkarkimin e zyrtarëve si dhënien e një fitoreje medias.
Së pari, do të ishte një pranim, se ai ka vepruar gabim gjatë gjithë kohës. Trump e zgjodhi Hegseth, për të tronditur ushtrinë.
Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, Trump shpesh i kishte sulmuar ata që thoshin se ushtria amerikane ishte më e shqetësuar për çështje si të drejtat LGBT, sesa për luftën. Tek Hegseth, ai beson se ka dikë që nuk do të pengohet nga zemërimi në disa qarqe, për politika si ndalimi i personave transgjinorë që t’i bashkohen forcave të armatosura dhe shkarkimi i rreth 15,000 të tillëve që tashmë shërbejnë.
Mund të jetë gjithashtu e dobishme për Trump të ketë zyrtarë të papëlqyer në poste, që të mbajnë përgjegjësinë teksa 100 ditët e tij të para në detyrë goditen nga pasiguria ekonomike. Tregjet e aksioneve janë në rrugën e tyre për të pasur prillin më të keq, që nga Depresioni i Madh, dollari ka humbur 10 përqind të vlerës së tij që nga janari dhe parashikimet e FMN-së në fillim të vitit për rritje prej 3.3 përqind, për këtë vit dhe vitin e ardhshëm duket se janë një kujtim i zbehtë.
Trump nuk mund të përballojë një krizë të përhershme në departamentin e mbrojtjes.
Megjithatë, krizat zakonisht nuk avullojnë dhe duket se Pentagoni po kalon nga një krizë në tjetrën. Ndërsa Hegseth përpiqej të devijonte vëmendjen gjatë intervistës së tij në Fox, kundërshtarët e tij do të vazhdojnë të rrisin presionin.
Tammy Duckworth, një senatore demokrate dhe ish-ushtarake shtroi pyetjen: “Sa herë duhet të rrjedhë informacion i klasifikuar nga Pete Hegseth, para se Donald Trump dhe republikanët të kuptojnë se ai nuk është vetëm një gënjeshtar i shfrenuar, por është një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare?”