Pentagoni do të nisë një hetim të brendshëm ndaj sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth lidhur me bisedën në Signal, ku me të tjerë anëtarë të administratës Trump diskutoi mbi një sulm ndaj rebelëve Houthi të Jemenit.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë po përpiqet që të minimizojë bisedën që ka përfshirë disa nga zyrtarët e saj të rangut më të lartë, Pentagoni synon të shikojë qartë dhe të konstatojë nëse Hegseth ishte në përputhje me “politikat dhe procedurat e Departamentit në përdorimin e aplikacionit të mesazheve komerciale për të kryer biznes zyrtar”.
Hetimi u nxit nga një komitet i Senatit pasi u publikua përmbajtja e bisedës, duke përfshirë informacionin e klasifikuar në lidhje me sulmin amerikan ndaj rebelëve Houthi.
Kërkesa e Pentagonit për të sqaruar situatën tregon se si skandali vazhdon të ndjekë administratën dhe Donald Trump-in. Deri tani, presidenti nuk ka shkarkuar askënd të profilit të lartë për chatgate, megjithëse disa anëtarë të këshillit të tij të sigurisë kombëtare thuhet se janë vendosur në peshore.
Midis tyre, këshilltari Mike Waltz, përgjegjës për përfshirjen aksidentale të një gazetari të “The Atlantic” në chat, duke çuar në shpërthimin e rastit.
Waltz akuzohet edhe për përdorimin e llogarisë së tij në Gmail, për komunikimet qeveritare dhe krijimin e të paktën 20 bisedave në Signal për të koordinuar punën zyrtare mbi çështjet me dosjet kryesore të politikës së jashtme si Ukraina, Kina, Gaza, Afrika dhe Europa.
Publikisht, Trump vazhdon të mbështesë Waltz-in, por në prapaskenë po thuhet se po pyet njerëzit e tij nëse duhet ta dëbojë apo jo. Tani për tani, ai ka vendosur të mos e heqë dhe kjo, për të mos i dhënë një fitore demokratëve dhe mediave e mbi të gjitha, për të shmangur përsëritjen e asaj që ndodhi në katër vitet e tij të para në Shtëpinë e Bardhë, me dalje të shkëlqyera nga administrata, menjëherë pas marrjes së detyrës.
Megjithatë, “sëpata” e Trump-it do të kishte rënë mbi tre anëtarë të stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pasi Laura Loomer, aktivistja e ekstremit të djathtë dhe teoricieni i konspiracionit që e shoqëroi atë në disa faza të fushatës elektorale, i kërkoi t’i pushonte si “të pabesë”. Në mesin e të përfshirëve do të ishte edhe zëvendës-këshilltari i Mike Waltz-it, Alex Wong, të cilin Loomer e akuzoi se “nuk ka qenë kurrë një Trump-ist”.