Rajoni

Analiza: Serbia forcon lidhjet ushtarake me Kinën, pavarësisht trysnisë nga Perëndimi!

Serbia vazhdon të armatoset me armë kineze. Presidenti Aleksandar Vuçiç njoftoi më 28 qershor, gjatë një stërvitjeje dhe ekspozimi të pajisjeve ushtarake të Ushtrisë së Serbisë, se ky vend do të blejë raketa shtesë balistike supersonike CM-400, si dhe avionë të rinj ushtarakë.

Vuçiç i cilësoi raketat CM-400 si “raketa të frikshme” dhe tha se Serbia do ta rrisë numrin e tyre.

Katarina Gjokiç, studiuese në Institutin Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen (SIPRI), thotë për Radion Evropa e Lirë se ky njoftim lë të kuptohet se edhe avionët e rinj luftarakë do të blihen nga Kina.

“Nuk ka kuptim të blihen raketa kaq të shtrenjta për avionë që shumë shpejt nuk do të mund të përdoren”, thotë ajo.
Vuçiç konfirmoi për herë të parë në muajin mars se Serbia kishte blerë raketa nga Kina, por autoritetet serbe nuk e kanë bërë ende të ditur çmimin dhe sasinë e tyre.

Sipas regjistrave ndërkombëtarë të armatimit, Serbia është i vetmi vend në Evropë që zotëron raketa CM-400, ndërsa Kina është furnizuesi më i madh ushtarak i saj.

Blerja e armëve nga Kina është pjesë e forcimit të marrëdhënieve mes Pekinit dhe Beogradit, të cilat zyrtarët e të dyja vendeve i kanë cilësuar si një “miqësi të çeliktë”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht Serbinë për rreziqet e thellimit të bashkëpunimit ushtarak me Kinën, veçanërisht duke pasur parasysh se Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE.

“Alternativë e besueshme”

Sipas Gjokiçit, ka disa arsye pse Serbia i drejtohet Kinës për furnizim me armë.

“Kina imponohet si një alternativë e besueshme, sidomos nëse kemi parasysh se armatimi i saj është më i lirë se ai perëndimor”, thotë ajo.

Gjokiç shton se ekzistojnë edhe arsye politike pse Serbia nuk mund të blejë sisteme më të avancuara të armatimit nga SHBA-ja – një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë.

“Duke qenë se Serbia nuk është anëtare e NATO-s, ajo nuk konsiderohet partnere e besueshme për SHBA-në. Kur bëhet fjalë për sisteme më të sofistikuara, si avionët luftarakë apo sistemet e mbrojtjes ajrore, SHBA-ja ua shet ato partnerëve të saj”, shpjegon Gjokiç.

Sipas saj, armatimi kinez është zhvilluar sipas modelit të armatimit sovjetik, të cilin Serbia tashmë e zotëron, prandaj “nuk është e vështirë të integrohet” në arsenalin ekzistues.

Përveç raketave, Ushtria e Serbisë mori në vitin 2020 edhe dronët kinezë CH-92A.

Kjo ishte blerja e parë e armatimit nga Kina që u përfshi në përbërjen luftarake të forcave të armatosura serbe.

Analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, vlerëson se blerja e armatimit kinez është një mesazh i fortë politik në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian presin që Serbia të zvogëlojë nivelin e marrëdhënieve me Kinën dhe Rusinë.

“Kjo bie ndesh me atë që Serbia deklaron zyrtarisht, pra me përkushtimin e saj ndaj integrimit në Bashkimin Evropian”, thotë Jakshiq për Radion Evropa e Lirë.

Mesazh për rajonin

Njoftimi në mars i Vuçiçit për blerjen e raketave kineze CM-400 ngjalli shqetësime edhe në rajon. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviç, tha atëkohë se Zagrebi do të diskutojë me aleatët në NATO për këtë zhvillim.

“Do të bisedojmë me partnerët tanë në Aleancën Veriatlantike dhe do t’i paralajmërojmë për këtë lloj armatimi, i cili është një risi në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë”, tha Pllenkoviç.

Vuçiç iu përgjigj duke deklaruar se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë armësh do të ketë Serbia”.

Ai, gjithashtu, pretendoi se Serbia po përgatitet për një sulm nga “aleanca që po formojnë Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

Në mars të vitit 2025, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia – dy të fundit vende anëtare të NATO-s – nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Zyrtarët serbë e cilësuan këtë marrëveshje si kërcënim për sigurinë e Serbisë, ndërsa nënshkruesit i hodhën poshtë këto pretendime.

Vuçiç tha atëkohë se raketat kineze CM-400 kanë rreze veprimi prej 200 deri në 400 kilometra dhe i përshkroi ato si armë me fuqi të madhe shkatërruese.

Gjokiç thotë se reagimet e vendeve të rajonit ndaj këtyre blerjeve nuk janë të papritura, duke pasur parasysh se mbetet e paqartë se “çfarë synon të arrijë Serbia” me këtë armatim.

Jakshiç vlerëson se autoritetet serbe, përmes këtyre blerjeve, ndjekin një “politikë balancimi” dhe, njëkohësisht, hyjnë në një garë armatimi me vendet e rajonit.

“E gjithë kjo përshtatet me një politikë të shpenzimit joracional të parave. Me paratë tona, Vuçiç po blen mbështetje politike nga Pekini, Parisi e deri te Moska”, thotë Jakshiç.

Gjatë ekspozimit të armatimit më 28 qershor, Vuçiç u tha gazetarëve se Ushtria e Serbisë disponon raketa kineze, amerikane, ruse, franceze dhe serbe.

Të dhënat tregojnë se Serbia vazhdon të blejë armë nga burime të ndryshme, por, viteve të fundit, armatimi kinez ka zënë vendin kryesor në importet ushtarake të vendit.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen (SIPRI), Franca renditet si furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Serbinë, me 12 për qind të importeve, ndërsa Rusia është e treta, me 7 për qind.

Një nga blerjet më të mëdha ushtarake të Serbisë është ajo e 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca, me vlerë prej 2.7 miliardë eurosh.

Nga Rusia, Serbia ka blerë avionë luftarakë të përdorur MiG-29, helikopterë, sistemin e mbrojtjes ajrore Pancir-S1, si dhe raketat antitank Kornet.

Shpenzime të rritura për mbrojtjen

Sipas të dhënave të SIPRI-t për vitin 2025, Serbia ndan më së shumti mjete për ushtrinë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, shumica prej të cilave janë anëtare të NATO-s.

Sipas Gjokiçit, shpenzimet e Serbisë për mbrojtjen janë në rritje të vazhdueshme që nga viti 2017, por arsyet për këtë nuk janë plotësisht të qarta.

Ajo thotë se dokumentet strategjike të Serbisë për mbrojtjen nuk e përcaktojnë qartë se cilat janë kërcënimet me të cilat përballet vendi.

“Nga njëra anë, ishte e pritshme që në një moment të rinovohej arsenali ushtarak. Por, nga ana tjetër, nuk kemi një shpjegim të qartë se për çfarë do të përdoret ky armatim”, thotë Gjokiç.

Zyrtarët serbë kanë deklaruar në disa raste se Serbia nuk ka synim të sulmojë askënd. Gjokiç vëren se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen është një prirje që shihet në të gjithë Evropën, por me motive më të qarta.

Ajo thotë se në disa vende është rritur perceptimi për kërcënimin që paraqet Rusia, sidomos pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës, në vitin 2022.

“Kur bëhet fjalë për vendet anëtare të NATO-s, vërehet edhe presioni nga Aleanca për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe për të dëshmuar angazhimin ndaj saj”, thotë Gjokiç.

Serbia është pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, që nga viti 2006, por vazhdon të deklarojë se i përmbahet politikës së neutralitetit ushtarak./REL