Aktorja dhe humanistja amerikane Angelina Jolie ka ripohuar publikisht mbështetjen e saj për popullin palestinez gjatë një vizite në qytetin Arish të Egjiptit dhe në pikëkalimin kufitar Rafah, ku u njoh nga afër me qendrat kryesore të ndihmës humanitare të destinuara për Gazën.
Sipas gazetës shtetërore Al-Ahram, Jolie u shpreh se ndihej “e nderuar” për takimin me vullnetarët e ndihmës humanitare në pikëkalim. Ajo ishte e shoqëruar nga një delegacion amerikan dhe u prit nga ish-zyrtarë dhe përfaqësues aktualë të institucioneve vendase.
Vizita e saj vjen në një moment kritik, teksa një vullnetar i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane i bëri të ditur aktores fituese të çmimit Oscar dhe ish-të dërguarës së posaçme të OKB-së për refugjatët se mijëra kamionë me ndihma humanitare po presin në Rafah për të hyrë në Gaza, ku rreth 2.2 milionë banorë kanë nevojë urgjente për asistencë.
Gjatë qëndrimit në zonë, Jolie, 50 vjeçe, inspektoi disa pika kyçe logjistike, përfshirë depot e ndihmave të dedikuara për Gazën, duke u njohur nga afër me përpjekjet e Egjiptit për pritjen dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare për palestinezët.
Sipas raportimeve, ajo njoftoi gjithashtu planet për ndërtimin e një fshati ndihme për fëmijët jetimë në Gaza, si një strehë e sigurt për ata që kanë humbur familjarët gjatë sulmeve izraelite.
Projekti parashikon sigurimin e strehimit, kujdesit shëndetësor, arsimit dhe mbështetjes psikologjike.
Jolie theksoi se fëmijët e Gazës meritojnë të jetojnë me dinjitet dhe shpresë, ashtu si çdo fëmijë tjetër në botë, duke bërë thirrje për më shumë solidaritet dhe veprim konkret ndërkombëtar.