Kryeministri britanik, Keir Starmer sot do të njoftojë njohjen e shtetit palestinez. Kjo u bë e ditur nga disa media në Britaninë e Madhe. Në muajin korrik 2025, Starmer deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do ta njihte Shtetin e Palestinës në shtator, nëse Izraeli nuk përmbushte kushte të caktuara, duke përfshirë një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe një angazhim për një marrëveshje paqeje afatgjatë e të qëndrueshme që si pjesë ka një zgjidhje me dy shtete.
Burime qeveritare të cituara nga BBC, theksuan se situata në terren është përkeqësuar ndjeshëm në javët e fundit dhe cituan imazhe që tregojnë urinë dhe dhunën në Gaza, të cilat Starmer i ka përshkruar më parë si “të patolerueshme”.
Të paktën katër palestinezë u vranë në një sulm të ri ajror izraelit në qytetin e Gazës, siç raporton Al Jazeera, duke cituar Tass-in e që specifikoi se sulmi goditi një godinë banimi me civilë brenda. Sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, vetëm dje, numri i të vdekurve nga operacionet ushtarake izraelite në qytetin e Gazës dhe zonat përreth tejkaloi 60, me mbi 200 të plagosur.
Autoritetet jordaneze njoftuan se kanë rihapur pjesërisht pikën kufitare me Bregun Perëndimor të pushtuar, tre ditë pasi e mbyllën atë nga një sulm që vrau dy ushtarë izraelitë.
Kalimi u rihap të dielën (21 shtator) vetëm për udhëtarët ndërsa trafiku i kamionëve të mallrave mbetet i pezulluar deri në një njoftim të mëtejshëm, thuhet në një deklaratë zyrtare.
Transmetuesi shtetëror Al-Mamlaka raportoi trafik të rënduar në të dyja drejtimet, duke filluar që nga orët e para të mëngjesit. Kalimi Allenby është e vetmja portë hyrëse që palestinezët në Bregun Perëndimor mund të përdorin për të udhëtuar jashtë vendit pa kaluar nëpër Izrael, shtetin që ka pushtuar territorin nga viti 1967.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka arritur në ditën e 715-të. Hamasi publikoi një imazh propagandistik të 47 pengjeve të mbetur e që mbahen në Rripin e Gazës, duke iu referuar të gjithëve si “Ron Arad”, një navigator i Forcave Ajrore Izraelite i cili është zhdukur që nga viti 1988.

Teksti shoqërues thotë:
Për shkak të refuzimit të Netanyahut dhe kapitullimit të Zamirit, shefit të Shtabit të IDF-së, një imazh lamtumire në fillim të operacionit ushtarak në Qytetin e Gazës.
Duket se deklarata akuzon Netanyahun se refuzon të arrijë një marrëveshje armëpushimi e të lirojë pengjet. Po ashtu, akuzon Zamirin se ka zbatuar urdhrat për të pushtuar Qytetin e Gazës pavarësisht kundërshtimit të tij të supozuar ndaj planit.
Ndërkohë, me mijëra izraelitë u mblodhën në Tel Aviv për të kërkuar kthimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve përmes një marrëveshjeje e përfundimit të luftës.