Në Apelin e GJKKO-së sot mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës së Ilir Metës për lirimin nga qelia. Seanca e kaluar u shty me kërkesë të avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i cili tha se në fletën e njoftimit për thirrjen në seancë nuk ishte bërë me dije emri i gjyqtares që do të shqyrtonte çështjen.
Ish-Presidenti i Republikës ndodhet në qeli që prej tetorit të vitit të kaluar ndërsa është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, pastrim parash e fshehje pasurie. SPAK-u mbylli hetimet më 28 korrik dhe dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, me hetime për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.
Një ditë më parë, GJKKO-ja rrëzoi sërish Metën për ndryshimin e masës së sigurisë me pretendimin se janë shkelur të gjitha afatet e paraburgimit. Më 16 tetor edhe Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e tij për masën e sigurisë.
Me të njëjtat akuza si Meta, përballen ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi e tre persona të tjerë. Pirro Xhixho për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim dhe ish-vjehrra Fatime Kryemadhi e Ema Çoku, për pastrim parash.