Sot në Strasburg, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës është në rendin e ditës së Këshillit Ministror. Pritet të nisë procedura e shqyrtimit të kërkesës, gati një vit pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës.
Burime nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i thanë Radios Evropa e Lirë se presin që Këshilli i Ministrave vetëm të pranojë kërkesën e Kosovës në këtë asamble. Më pas, ky institucion do të përgatisë raportin dhe opinionin përkatës.
Ky hap pritet sot nga Këshilli i Ministrave dhe më pas Asambleja Parlamentare do të diskutojë e votojë për raportin ose në takimin e radhës në qershor apo në muajin tetor.
Në bazë të diskutimeve joformale që kanë pasur grupet parlamentare është e qartë se ekziston shumica prej dy të tretave të votave për pranimin e Kosovës. Presim që kur të vijë në rend dite, Asambleja të konstatojë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e të rekomandojë pranimin e vendit në Këshillin e Europës. Pas kësaj, vendos Këshilli i Ministrave.
Realisht, nëse gjithçka shkon sipas planit, procesi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës do të mund të përmbyllet deri në fund të këtij viti.
Pjesë e taktikave është edhe përpjekja që aplikimi i Kosovës të mos hyjë në rend dite gjatë samitit të Këshillit të Europës që mbahet në maj në Islandë, vend që kryeson Këshillin e Ministrave.
Këshilli i Evropës i ngarkuar me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave e Asamblesë Parlamentare ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare. Për anëtarësim në Këshillin e Europës, Kosova aplikoi më 12 maj 2022.
Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion është një prej temave edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian e sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Europës, Therese Blanche, në Luksemburg.
Serbia nuk e ka fshehur se do të punojë që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Ndryshe nga Bashkimi Europian ku aplikimet për anëtarësim miratohen me konsensus, në Këshillin e Europës pranimi i një anëtari të ri bëhet me shumicë votash.