Arabia Saudite njoftoi se Irani rifilloi bombardimet, duke lëshuar valë sulmesh që përfshijnë rreth 63 dronë armiqësorë vetëm sot.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se të gjithë dronët që në shënjestër kishin Provincën Lindore e kryeqytetin Riad, u kapën dhe u shkatërruan.
Zëdhënësi i ministrisë, gjeneralmajor Turki Al-Maliki, publikoi njoftimet në platformën X duke filluar nga ora 02:22 e mëngjesit, ku konfirmoi se mbrojtja ajrore saudite ka neutralizuar çdo mjet ajror.
Sulmet erdhën vetëm disa orë pasi ambasadori iranian në Arabinë Saudite, Alireza Enayati, u përpoq të shmangte përgjegjësinë e Teheranit, duke shpërndarë një deklaratë të atribuar komandës ushtarake iraniane.
Aty thuhej se “armiku” po përdorte dronë të maskuar si Shahed iranianë, nën emrin “Lucas drone”.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, numri i përgjithshëm i dronëve të interceptuar në Mbretëri ka kaluar shifrën 230, ndërsa janë rrëzuar edhe mbi 30 raketa.
Sulmet iraniane kanë ndjekur një model të përsëritur: goditje gjatë natës të ndërprera, nga qetësi gjatë ditës.
Edhe shtetet fqinje të Gjirit raportuan bilance të rënda:
Bahreini njoftoi se interceptoi 125 raketa e 203 dronë, me dy viktima në vend dhe 24 të tjerë në rajon. Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se kanë përballuar 294 raketa balistike, 15 raketa lundrimi e 1 mijë e 600 dronë, duke regjistruar gjashtë viktima.
Zyra e Medias në Dubai konfirmoi sot se ekipet e mbrojtjes civile kanë arritur të shuajnë një zjarr të shkaktuar nga goditja e një droni në një rezervuar karburanti pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait. Operacionet në aeroport janë pezulluar përkohësisht.