Bota

Trump-NATO/s: E ardhme negative po nuk kontribuat për Ngushticën e Hormuzit!

Donald Trump paralajmëroi NATO-n se mund të ketë një të ardhme “shumë negative” nëse aleatët nuk kontribuojnë për të garantuar hapjen dhe sigurinë e Ngushticës së Hormuzit”, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Në një intervistë për Financial Times, presidenti amerikan i bëri thirrje edhe Kinës të ndihmojë, duke theksuar se rreth 90% e naftës që importon, kalon përmes kësaj ngushtice.

Kina reagoi duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara të korrigjojnë menjëherë ato që Pekini i quan “sjellje të padrejta në tregti”. Ndërkohë, Trump lëshoi edhe kërcënime të reja ndaj Iranit, duke deklaruar se Amerika mund të godasë ishullin e naftës Kharg brenda pesë minutash dhe akuzoi Teheranin për përhapje dezinformimi me Inteligjencë Artificiale.

Kompanitë e mëdha të naftës paralajmërojnë se kriza mund të përkeqësohet. Ndërkaq, Izraeli vlerëson se lufta në rajon mund të zgjasë të paktën edhe tre javë, se sipas autoriteteve izraelite mbeten mijëra objektiva për t’u goditur. Gjatë natës, ushtria ndërmori një ofensivë të gjerë ndaj Teheranit.

Irani ka deklaruar se nuk është i gatshëm për negociata dhe iu ka bërë thirrje aleatëve të SHBA-ve, të mos ndërmarrin veprime që mund të zgjerojnë konfliktin. Ndërkohë, janë raportuar sulme me dronë ndaj Dubait, ku aktiviteti i aeroportit u pezullua përkohësisht.

Bashkimi Europian po shqyrton forcimin e një misioni, ndërsa Mbretëria e Bashkuar po mendon të dërgojë dronë për pastrimin e minave detare. Edhe pse disa herë, Trump ka deklaruar se konflikti mund të përfundojë shpejt, kohët e fundit u shpreh se ende nuk janë gati për një marrëveshje me Iranin, se kushtet “nuk duken mjaftueshëm të mira”, megjithëse vazhdojnë bisedimet mes palëve.