Aktori i njohur i Hollywood-it, Shia LaBeouf, është arrestuar në orët e para të së martës pas një përplasjeje fizike të dyshuar gjatë festimeve të Mardi Gras në New Orleans, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pak pas mesnate, jashtë një bari në zonën French Quarter, ku aktori u përfshi në një incident fizik me persona të tjerë. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, LaBeouf mori edhe ndihmë mjekësore në vendngjarje.

Sipas dëshmitarëve, aktori, i njohur për rolin e tij në filmin Transformers, ishte nxjerrë fillimisht nga një lokal për arsye ende të paqarta, ndërsa përleshja dyshohet se ndodhi menjëherë pas kësaj. Dokumentet gjyqësore tregojnë se ai përballet me dy akuza për dhunë të lehtë.
Kjo nuk është hera e parë që LaBeouf përballet me probleme ligjore. Në të kaluarën, ai ka qenë i përfshirë në disa incidente të ngjashme, ndërsa këngëtarja FKA Twigs e kishte paditur për dhunë seksuale dhe shkaktim të stresit emocional, çështje që u mbyll me marrëveshje vitin e kaluar.
Po ashtu, në vitin 2017 aktori u urdhërua nga gjykata të ndiqte një program rehabilitimi pas arrestimit për dehje në publik dhe sjellje të çrregullt.
Incidenti i fundit rikthen sërish në vëmendje sjelljet kontroverse të aktorit, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.