Rajoni

As pas tentativës së 29-të deputetët nuk arritën ta konstituonin Kuvendin e Kosovës!

Edhe sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të konstituojnë përbërjen e re parlamentare. Deri tani janë mbledhur 29 herë, por nuk ia kanë dalë që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Seanca e radhës do të mbahet më 11 qershor. Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Një ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përsëriti thirrjen e tij për partitë e tjera parlamentare për themelimin e një qeverie të unitetit.

Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Ai paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të bëjë të ditur një agjendë 15 pikëshe, “një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofroj të gjitha partive politike, pa përjashtim”.

Pas seancës, Albulena Haxhiu nga LVV, tha se për këtë parti, “qeveria e tranzicionit nuk është e pranueshme”.

Qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre në zgjedhje. Kryeministri Kurti është lideri më i votuar ndonjëherë dhe LVV është sot subjekti i parë me më së shumti vota në vend. Prandaj, propozimet e tilla janë tendencë për të minimizuar vullnetin e popullit, për ta shkelur atë, dhe natyrisht nuk e kanë mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Ata thonë “qeveri e tranzicionit”, por qeverinë e tranzicionit e kemi për momentin, deklaroi Haxhiu.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur mundësinë që zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale të rregullta, të cilat pritet të shpallen në muajin tetor, si mundësi për zhbllokim të situatës.

Albulena Haxhiu e paraqiti e para këtë ide në një takim që zhvilloi me presidenten Osmani javën e kaluar e me figura të subjekteve politike në Kosovë, për të diskutuar datën e zgjedhjeve vendore. Por, Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës u shpreh se zgjedhjet duhet të mbeten të ndara.

Sipas tij, nëse duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, kjo të ndodhë më herët e jo në tetor. Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deklaroi të enjten:

Mund të ndodhë që të vijmë në një situatë ku zgjedhjet e reja do të jenë zgjidhje edhe pse do të ishte shumë e komplikuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i organizojë ato së bashku (me lokalet).