Një i vdekur dhe një i plagosur, të dy shqiptarë është bilanci i një sulmi mafioz të ndodhur në vendin e quajtur Thrakomaqedones në veri të kryeqytetit grek Athinë. Sipas burimeve policore, ata ndodheshin në një kafe në momentin kur u qëlluan nga një makinë në lëvizje.
Si pasojë e disa të shtënave, shtetasi Irakli Davella, nga zona e Sarandës, por me pasaportë greke ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Viktima ishte pronar i një lokali në zonën Peristeri të Athinës e mësohet se ka qenë mik me tre persona të tjerë të ekzekutuar kohë më parë, po në Greqi. Ai dhe tre grekët e vrarë Manolis Karagiannis, Vasili Griva e Giorgo Litsa kanë qenë pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.
Ndërsa personi tjetër që u plagos, u dërgua me urgjencë në spital. Nga mediat greke raportohet se shtetasi i identifikuar si Edi Lolo ka plagë në kokë dhe në bark. I lënduari jeton mes Athinës e Dubait. Policia ka nisur një operacion për gjetjen e autorëve, por ende nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tyre.