Momente ankthi në kryeqytetin grek, pas shembjes së një pallati katërkatësh në zonën e Petralonës.
Për disa orë ekzistonte frika se nën rrënoja mund të kishin mbetur banorë të bllokuar, por pas kërkimeve intensive autoritetet konfirmuan se nuk ka të zhdukur dhe as viktima.
Menjëherë pas shembjes, zjarrfikësit, njësitë speciale EMAK dhe qentë e trajnuar të kërkim-shpëtimit nisën operacionin për gjetjen e personave të mundshëm nën rrënoja. Fillimisht u raportua për katër persona të zhdukur, por më vonë të gjithë u lokalizuan. Gruaja e fundit, për të cilën kishte shqetësim, u gjet në qytetin e Nafplios.
Sipas hetimeve paraprake, ndërtesa u shemb gjatë punimeve të gërmimit në një parcelë ngjitur, ku po ndërtohet një pallat i ri. Autoritetet po hetojnë nëse janë respektuar masat e sigurisë dhe rregullat teknike gjatë punimeve.
Policia ka shoqëruar pesë persona, mes tyre pronarët e parcelës, kontraktorin dhe tre inxhinierë. Me urdhër të prokurorit është hapur procedim penal për shkelje të rregullave të ndërtimit dhe të masave të sigurisë.
Ndërkohë, ekspertët po kontrollojnë edhe pallatin ngjitur, pasi në themelet e tij është krijuar një çarje e madhe. Banorët janë evakuuar përkohësisht deri në përfundimin e kontrollit të stabilitetit të ndërtesës.
Bashkia e Athinës njoftoi se do të ofrojë strehim të përkohshëm dhe ndihmë ekonomike për familjet që u prekën nga shembja, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë.