Aktualitet

Atentati në Fushë Krujë, vritet Gilmando Dani krahu i djathtë i Shullazit!

Atentati me armë zjarri pranë aeroportit të Rinasit, viktimë mbeti Gilmando Dani, i konsideruar krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, emër i njohur i botës së krimit dhe i plagosuri identifikohet si Muçi Shaljani (Sheqeri), agjent i Mbikëqyrjes Policore. Ata gjendeshin në një makinë tip “Benz” me ngjyrë të bardhë e nuk ka dyshime se ngjarja e ndodhur te rrethrrotullimi është një atentat mafioz.

Dani mbeti i bllokuar në automjet e për ta nxjerrë, efektivët thyen xhamin. Më herët u raportua për një viktimë dhe një të plagosur rëndë. Këto janë informacione paraprake të minutës së fundit pasi ende nuk ka shumë të dhëna. Burime mediatike bëjnë të ditur se është qëlluar me breshëri plumbash drejt automjetit luksoz.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe autoambulancat. Autoritetet janë duke hetuar rrethanat e ngjarjes dhe po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë. Autorët janë larguar për në drejtim të Fushë-Krujës me një mjet me targa greke. Më parë, Dani ka mbetur i plagosur në 2 atentate më 2011-ën e 2015-ën.

Rinas/Informacion paraprak

Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç.

Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetsore.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve.