Auto & Moto

Audi braktis planet për elektrifikim të plotë të makinave!

Audi po e rishqyrton seriozisht njoftimin e mëparshëm se nga viti 2032 do të ofrojë ekskluzivisht makina elektrike. Të dhënat e shitjeve për vitin 2024 tregojnë se kërkesa për automjetet elektrike të Audi ka rënë me 19.5 për qind, duke arritur në 158,343 njësi. Gjatë konferencës vjetore të medias për vitin 2025, CEO i Audis, Gernot Dollner, deklaroi se “si pjesë e iniciativës sonë për sjelljen e produkteve, ne jo vetëm që do të prezantojmë modele të reja elektrike, por edhe një gjeneratë të re të automjeteve me motorë me djegie të brendshme dhe hibride plug-in. Prodhimin e makinave me motorë me djegie të brendshme do ta përshtatim sipas tendencave të zhvillimit në tregjet botërore”.

Audi kishte njoftuar më parë se modeli i ri Q7 do të ishte risia e fundit që do të ofrohej me motor me djegie të brendshme, për t’u përputhur me ndërprerjen e zhvillimit të motorëve të tillë të planifikuar për vitin 2026. Plani ishte që këto modele të mbeteshin në treg deri në vitin 2032. Tani, Audi, duke ndjekur vendime të ngjashme nga BMW, Mercedes dhe Volvo, po e shtyn këtë vendim. Kjo ishte e pritshme, duke pasur parasysh që edhe Porsche do të mbajë në ofertë makinat me motorë me benzinë.

Gjithashtu, modelet PHEV (hibride plug-in), për të cilat Dollner tha se janë një pjesë qendrore e portofolit të kompanisë në rrugën drejt ofertës plotësisht elektrike, po fitojnë më shumë rëndësi në gamën e tyre. Dollner gjithashtu prezantoi prurjet e ardhshme të modeleve për vitin 2025. Ai konfirmoi se gjenerata e re e modelit Q3 do të dalë këtë verë dhe njoftoi se versioni plug-in hibrid i modelit A5 do të debutojë më 25 mars, si një nga 10 modelet e reja PHEV që do të prezantohen këtë vit.