Bota

Australia e Tajvani në alarm nga shpërthimet e reja të COVID-it!

Përballë shpërthimeve të reja të koronavirusit, Tajvani dhe Australia po zbatojnë masa të reja kufizuese për t’i kontrolluar. Në Tajvan, ato janë zgjatur deri më 28 qershor, përfshirë ndalimin e organizimeve ndërsa mësimi për studentët do të vijojë online.

Në këtë vend, autoritetet kanë raportuar 11.298 raste prej shpërthimit të pandemisë dhe 260 viktima. Por nuk e fshehin shqetësimin lidhur me variantet e reja të koronavirusit në kohën kur vetëm 3% e popullsisë është vaksinuar, pjesa më e madhe vetëm me një dozë.

Ndërkohë, Viktoria në Australi raportoi sot rritjen më të madhe të infektimeve brenda një jave.

Zyrtarët shëndetësorë po përpiqen të gjurmojnë burimin e variantit Delta, që është identifikuar te të prekurit. Ndryshe nga dy ditë më parë, ata raportuan 11 raste të reja.
Banorët e Melburnit presin lajme nëse të enjten do t’i jepet fund masave të izolimit pasi planet fillestare parashikonin datën 10 qershor.

Melburni ka hyrë në ditën e 11-të të izolimit të ashpër pasi autoritetet identifikuan për herë të parë variantin Delta të koronavirusit. Ky variant i klasifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një nga më shqetësuesit ka mundësi të ketë shkaktuar valën e fundit vdekjeprurëse në Indi.