Aktualitet Politikë

Balla-opozitës: Të diskutojmë ndryshimet ligjore të Reformës në Drejtësi!

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, sot i bëri thirrje opozitës që të ulen në një tryezë, për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore në kuadër të Reformës në Drejtësi. Duke folur për gazetarët nga selia e Kryesisë së Kuvendit, Balla informoi se prej disa muajsh, në Parlament po punohet për një paketë ndryshimesh në disa ligje që janë pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi.

Bëhet fjalë për disa përmirësime apo rregullime. Do të kërkojmë që me opozitën të kemi mundësi të flasim në mënyrë që këto ndryshime që vijnë si sugjerime edhe nga institucione partnere, që monitorojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi të ecin përpara. Shpresoj që shumica të ketë mundësi të ulet me opozitën për t’i diskutuar.

Balla tha se në kuadër të Komisionit të Ligjeve ka një grup pune ku maxhoranca dhe opozita kanë punuar së bashku. Pyetjes nëse do të ishte i hapur për bashkëpunim me kryetarin e sapozgjedhur të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, Balla iu përgjigj se nuk e cakton dot se kush është opozita në Kuvend.

Ajo është e përcaktuar qartë, dihet që është PD që janë shumica e opozitës. Në këtë kontekst duhet që për hir të punës së përbashkët të ulemi e diskutojmë çështje që meritojnë që të punojmë së bashku. Në këtë këndvështrim, mezi pres që të ulemi t’i diskutojmë dhe të shkojmë t’i votojmë për sa kohë që shumica e ligjeve në këtë paketë kërkojnë shumicë të cilësuar me 3/5 e votave.

Balla theksoi se bëhet fjalë për disa prej ndryshimeve që të gjithë mendojnë se Kuvendi duhet të ndërhyjë për të përmirësuar kuadrin ligjor.

Meraku juaj është që çdo votë që mund të japë opozita për një çështje të caktuar të interpretohet si tradhti e brendshme brenda idealeve të ashtuquajtura të opozitës. Unë mendoj se kush e jep votën për diçka të mirë nuk është tradhti brenda opozitës, por është kontribut për Shqipërinë europiane.