Me rreth 30 minuta vonesë, Kuvendi i Shqipërisë nisi punimet për seancën plenare me një rend dite të ngarkuar. Jashtë protestohet dhe shënohen përplasje me policinë që nuk lejon protestuesit t’i afrohen selisë së Parlamentit.
Deputetët hynë në godinë, nga dera në anën e Pedonales. Sali Berisha tha se ky Kuvend duhet të shkrihet, por nuk iu përgjigj pyetjes së Top Channel nëse do ta digjte mandatin.
Një shpërthim është dëgjuar në oborrin e Kuvendit, dyshohet nga hedhja e një kapsolle.
Protestuesit brohorasin “Parlamenti i krimit”, “Nuk na përfaqësoni”, si dhe ka thirrje që shënjestrojnë policinë. Ata përsërisin kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Një protestues u shoqërua dhe tensionet janë të vazhdueshme.

Para nisjes së seancës plenare, blutë përdorën ujë e spraj lotsjellës për të shpërndarë turmat që tentuan të çanin kordonin policor e hodhën vezë, domate dhe shishe uji. Dy efektivë u lënduan. Gardhi metalik nga blutë u vendos që te kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit.
Në sallën e parlamentit, Gazment Bardhi mori fjalën në foltore dhe kërkoi të ndalet ajo që e quajti “dhunë ndaj qytetarëve” jashtë Kuvendit.
Taulant Balla e ironizoi duke i kërkuar kolegut demokrat t’i plotësojë kërkesën protestuesve, siç u shpreh, të çojë Berishën në burg. Reagoi kreu demokrat, i cili ndër të tjera iu referua Ballës si “përfaqësuesi më i shëmtuar i karteleve të drogës”.
Sa i përket axhendës së Kuvendit, me 83 vota pro, maxhoranca miratoi kalendarin e punimeve. Nuk munguan debatet mes palëve për zgjatjen e afateve të punës së Komisionit të Reformës Territoriale. Opozita kërkoi zgjatje me 3 muaj, me argumentin se nuk është përfunduar puna. Maxhoranca tha se nuk ka kthim pas dhe me 82 vota i rrëzoi kërkesën opozitës. Pra, nuk ka shtyrje.