Aktualitet

Banorët në protestë në aksin e ri rrugor Qukës-Qafë Plloçë!

Ditën e sotme, me dhjetëra banorë protestuan në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, në dalje të fshatit Kalivaç. Ata protestuan për mbylljen e rrugës ekzistuese, që lidh tre fshatra me aksin e ri Qukës-Qafë Plloçë.

Për afro 10 minuta, kjo rrugë u bllokua totalisht duke penguar qarkullimin e mjeteve në të dy anët. Për këtë situatë pati edhe disa përplasje fizike mes banorëve, shërbimeve të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të mjeteve që mbetën të bllokuar, pa mundur të lëviznin.

Sipas inxhinierëve, dalja në këtë rrugë është burim aksidentesh, ndërsa për vetë banorët, kjo rrugë është e domosdoshme se lidh jo vetëm fshatin me aksin kryesore, por njëherazi edhe me tokat e tyre.

Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë ka një gjatësi totale prej 43 km dhe i ka kushtuar shtetit shqiptar vlerën e 260 milion eurove. Aksi shtrihet në një trase të re, e cila është hapur enkas për këtë rrugë dhe ka disa vepra arkitekturore përgjatë tij.