Tekniku i Egnatias, Edlir Tetova analizoi barazimin 2-2 ndaj Bylis.
“Normalisht që Bylis është transfertë e vështirë, pavarësisht kushteve të motit. Kam shumë rezerva për lojtarët e mij në prapavijë. Kemi dominuar lojën por jo efektiv para portës. Situata aktuale më shqetëson shumë. Duhet të shikojmë përpara. Mbrojtja ishte e modifikuar. Kemi mungesa. Mund ta fitonim ndeshjen, por edhe mund ta humbnim. Ishim më afër fitores, por nuk mundëm ta shtynim topin në rrjetë. Nuk kam pasur probleme nga lojtarët e stolit, jam i kënaqur, qoftë edhe për pak minuta në fushë. Nuk ka nevojë për alarm, fusha nuk ishte në nivelin e duhur. Mendojë që e punuam mirë strategjinë tonë, por duhet të ishte më e shpejtë manovra jonë. Kërkojë më shumë besim nga lojtarët e mi. Nuk më shqetëson që nuk kemi fituar 3 ndeshje radhazi. Shqetësimi i vetëm është që kemi 5 ndeshje që nuk luajtëm me mbrojtje fikse. Do stabilzojmë gjërat në vazhdim”.
Tekniku i Bylis, Mirel Josa:
“Derisa arritëm që të kthenim rezultatin, duhet të ishim shumë më të kujdesshëm sa i përket menaxhimit të lojës, mënyrën si duhet të godisnim përsëri Egnatian. E dimë shumë mirë që manovrën sulmuese e përdor në mënyrë graduale dhe të qartë. Nuk patëm qetësi dhe pësuam golin. Problemi i golit të dytë, i cili për mendimin tim duhet ta shohim më mirë. Qoftë dhe me kartonat që morëm, u dënuam që në pjesën e parë. E dini që nëse dënohesh, lojtari nuk mund të jetë i gatshëm për të vazhduar dylyftimet gjatë lojës. E kam fjalën për Sulovarin, e ndërruam, por kaq ishin mundësitë tona. Davidin mund ta kishim ndërruar. Goli i dytë u pësua për një mosvendosmëri e jona në mesfushë, një fitim topi nga kundërshtari, pastaj në momentet e fundit besoj se kishte pozicion jashtë loje në rrezen e portierit. Megjithatë, nuk jam i kënaqur për barazimin, por mënyrën si skuadra nga disavantazhi u kthye në avantazh. Kjo më ngroh, kam pretendime që lojtarët e mi duhet të kishin më tepër entuziazëm, për ta luajtur këtë ndeshje”.