Rikthehen tensionet në Kuvend. Pas raportimit të Avokates së Popullit për punën 1-vjeçare të institucionit që drejton, fjalën e mori Lulzim Basha, por më pas iu ndërpre nga Kryeparlamentari Ruçi, me argumentin se mbaroi koha. Ndërkaq, Basha refuzon të largohet nga foltorja ku vetëm pak çaste më parë, akuzoi Kryeministrin Rama se po fsheh të vërtetën sa i përket negociatave të anëtarësimit në BE. Sipas tij, Gjermania është kundër hapjes së tyre: “Kjo mazhorancë dhe kjo qeveri e falimentuar politikisht dhe moralisht po mundohet të japë përshtypjen se gjithçka ecën normalisht. Rama është lajmëruar mbrëmë për një lajm të keq mbi negociatat. Mbrëmë, 24 orë pas takimit Merkel-Macron, është rakorduar qëndrimi përsa i përket hapjes apo jo të negociatave me Shqipërinë. Siç e di mirë Rama, lajmi është më i keqi që shqiptarët mund të prisnin, një lajm që Shqipëria nuk e meriton. Është verdikti gjerman: Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave”, tha Basha. Gramoz Ruçi sapo kërkoi 10 minuta pushim.