Politikë

Mbyllet me tensione dhe bojkot seanca plenare/ Opozita la sallën pasi rendi i ditës u miratua pa diskutime!

Seanca plenare e Kuvendit e kësaj të enjteje, 23 korrik, u mbyll mes tensionesh të forta, debatesh dhe përplasjesh mes opozitës dhe mazhorancës.
Deputetët e opozitës bllokuan për disa orë foltoren e Kuvendit, duke penguar zhvillimin normal të diskutimeve. Për shkak të situatës, mazhoranca vijoi me votimin e pikave të rendit të ditës pa diskutime, duke miratuar me procedurë të përshpejtuar të 31 çështjet e parashikuara.

Mes tyre ishin rezolutat për raportimet e institucioneve të pavarura, përfshirë SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme, Avokatin e Popullit, KLP dhe KLGJ, disa projektligje e amendamente, si dhe emërime të anëtarëve të komisioneve të prokurimit.

Gjatë votimit, seanca u ndërpre dy herë për shkak të tensioneve në sallë. Me 84 vota u miratua edhe raporti për Reformën Territoriale, ndërsa opozita kishte kërkuar shtyrjen e afatit me tre muaj.
Përplasjet nisën që në fillim të seancës, ku deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, tentoi të hidhte ujë drejt kryeministrit Edi Rama, por ndërhyrja e Gardës shmangu përplasjen.

LEXO EDHE: Opozita në ‘këmbë’ pengon procesin e votimit duke bërë zhurmë, mazhornaca vijon me kalimin e projektligjeve të rendit të ditës e vetme…

Tensionet vijuan edhe në fund të procesit të votimit. Teksa kryeministri Rama po largohej nga salla, deputetë të opozitës hodhën drejt tij dosje, fleta dhe kartonë votimi. Objekte u hodhën edhe në drejtim të ministrit të Financave, Petrit Malaj.

Pas këtyre incidenteve, deputetët e Partisë Demokratike braktisën sallën, duke mos marrë pjesë në pjesën e mbetur të votimeve.
Gjatë kohës që qëndruan në Kuvend, deputetët e opozitës vijuan të qëndronin në foltore, ndërsa protestuan duke goditur tavolinat.
Kjo ishte edhe seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar.

LEXO EDHE: Rama hyn në Kuvend, deputetët e PD e presin me thirrjet: Rama, jep dorëheqjen!