Aktualitet

Bashkitë të paafta me investimet, realizuan vetëm 43% të planit në vitin 2024!

Njësitë e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore po vuajnë nga paaftësia kronike për të realizuar programin e investimeve publike sipas planit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se njësitë e pushtetit vendor dogjën vitin e kaluar më shumë se gjysmën e programit të investimeve publike.

Të dhënat finale mbi buxhetin 2024 tregojnë se pushteti vendor realizoi vetëm 43% të programit të investimeve. Nga 46,3 miliardë lekë të planifikuara, u investuan vetëm 19,9 miliardë lekë ose më pak se gjysma e programit. Paaftësia e bashkive për të alokuar investimet vjen në një kohë kur ata janë para nevojave të mëdha për të investuar sidomos në infrastrukturën e rrugëve lokale vendore.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se fondin më të madh të investimeve e kishte Bashkia e Tiranës me rreth 18 miliardë lekë më 2024-ën, por ka arritur të investojnë vetëm 6,1 miliardë lekë ose 34% të programit.

Bashkia e Durrësit, mikpritësja kryesore e turistëve në vend dhe me nevoja të mëdha në infrastrukturën vendore ka realizuar vetëm 50% të programit të investimeve për vitin e kaluar. Nga rreth 4 miliardë lekë të programuara ka realizuar vetëm 2 miliardë prej tyre.

Në bashkitë me qendër prefekture, shihet se Vlora kishte realizimin më të dobët, me vetëm 17% të programit. Më 2024-ën u investuan vetëm 251 milion lekë nga 1,4 miliardë që ishte programi vjetor. Bashkia e Vlorës ka të zhvilluar turizmin detar me vijën bregdetare më të bukur në vend, teksa nevojat për investime sidomos në menaxhimin e mbetjeve dhe furnizimin me ujë ende janë të mëdha.

Bashkia e Kamzës ndonëse nuk është bashki me qendër qarku kishte një program të madh investimesh në krahasim më të tjerat. Kjo bashki në raportin me fondin në dispozicion prej 2,6 miliardë lekësh kishte realizimin më të mirë prej 75%.

Bashkia e Lezhës gjithashtu pati një realizim 80% të planit, duke investuar më 2024-ën rreth 743 milion lekë nga 922 milion të programuara.

Bashkia e Shkodrës, kryeqendra e veriut me nevoja të mëdha infrastrukturore kishte realizim të dobët të planit të investimeve me vetëm 33%. Nga 689 milion lekë që ishte programi u realizuan vetëm 225 milion.

Bashkia më varfër e vendit, ajo e Kukësit kishte realizim të lartë të planit me rreth 89%, por kishte në dispozicion fondin më të ulët të investimeve me vetëm 149 milion lekë, nga të cilat u realizuan 131 milion.

Me reformën territoriale, bashkitë ofrojnë një seri shërbimesh që nga arsimi, zjarrfikëset, rrugët lokale dhe një seri shërbimesh të tjera sociale. Por, në realitet, bashkitë vuajnë mungesën e burimeve njerëzore të afta e për rrjedhojë nuk kanë mundur të hartojnë projekte bindëse për të çelur fondet.

Në një kohë që popullsia e vendit po plaket me shpejtësi dhe mijëra të moshuar jetojnë vetëm dhe në pamundësi ekonomike e fizike, teksa shumica e bashkive nuk ofrojnë kujdes për të moshuarit. Shumica e bashkive edhe ato që përfaqësojnë qendrat e qarqeve nuk kanë shtëpi për të moshuarit.

Raportet e monitorimit kanë treguar se zonat rurale të vendit vuajnë mungesën e plotë të shërbimeve të trajtimit të mbetjeve dhe shërbimeve të tjera lokale./Monitor