Bota

Trump refuzon planin iranian për paqe: Krejtësisht i papranueshëm!

Presidenti amerikan, Donald Trump hodhi poshtë kundërpropozimin e Iranit ndaj planit amerikan për paqe, duke e cilësuar “krejtësisht të papranueshëm”, ndërsa armëpushimi njëmujor në rajon po shfaq shenja të qarta dobësimi mes sulmeve me dronë dhe paralajmërimeve për përshkallëzim të ri ushtarak.

Kundërpropozimi iranian iu dorëzua Uashingtonit përmes ndërmjetësve pakistanezë dhe sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, kërkonte heqjen e sanksioneve amerikane, përfundimin e bllokadës detare në ngushticën e Hormuzit dhe garanci për ndalimin e çdo sulmi të ri ndaj Iranit.

Plani fillestar amerikan, i paraqitur javën e kaluar, parashikonte një memorandum me 14 pika për rihapjen e ngushticës dhe krijimin e një kuadri negociues mbi programin bërthamor iranian.

Sipas raportimeve, SHBA-të kërkonin pezullimin e pasurimit të uraniumit nga Irani për deri në 20 vjet, transferimin jashtë vendit të rezervave të uraniumit të pasuruar dhe çmontimin e objekteve bërthamore iraniane.

Megjithatë, sipas “Wall Street Journal”, Teherani ka propozuar një moratorium më të shkurtër, eksportimin vetëm të një pjese të rezervave të uraniumit të pasuruar dhe refuzimin e çmontimit të infrastrukturës bërthamore.

Sapo lexova përgjigjen nga të ashtuquajturit përfaqësues të Iranit. Nuk më pëlqen, krejtësisht e papranueshme.

Presidenti amerikan akuzoi Iranin se “ka luajtur lojëra me SHBA-të dhe botën për 47 vjet”, duke shtuar se “Teherani nuk do të qeshë më”.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se lufta nuk ka përfunduar për sa kohë Irani vazhdon të mbajë rezerva uraniumi të pasuruar.

Nuk ka mbaruar, sepse ende ka material bërthamor që duhet të nxirret nga Irani. Ka ende objekte pasurimi që duhet të çmontohen.

Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se sulmet ushtarake amerikane mund të rifillojnë në çdo moment.

Mund të hyjmë përsëri për dy javë dhe të godasim çdo objektiv. Kemi arritur ndoshta 70% të objektivave tona.