Bota

BE-ja diskuton planin për ndalimin e bisedimeve politike në Izrael!

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell pritet të propozojë pezullimin e dialogut politik me Izraelin për luftën në Rripin e Gazës, sot në një takim të ministrave të Jashtëm të Unionit në Bruksel.

Masa vjen pas një viti thirrjesh të padëgjuara nga autoritetet izraelite në lidhje me respektimin e ligjit ndërkombëtar në luftën e Gazës, shkroi Borrell në një deklaratë përpara takimit.

Përveç kësaj, zyrtari europian kërkon që të ndalohet importi i produkteve nga vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze, të cilat janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Muajin e kaluar, ai tha se donte të drejtonte një debat mbi sjelljen e Izraelit në konfliktet në Gaza e Liban, në takimin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm.

Dialogu politik me Izraelin rregullohet nga Marrëveshja e Asoci’imit BE-Izrael që hyri në fuqi në vitin 2000, e cila parashikon shkëmbime të rregullta për të forcuar partneritetin. Gjithashtu, thekson se marrëdhëniet ndërmjet palëve bazohen në respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike.

Spanja dhe Irlanda patën sugjeruar që marrëveshja e partneritetit të BE-së me Izraelin të shqyrtohej. Akordi jo vetëm mbulon dialogun politik por edhe bashkëpunimin ekonomik në fusha të tilla si industria, energjia, transporti dhe turizmi.

Diplomatët e BE-së kanë theksuar se pezullimi i dialogut politik institucional nuk do të thotë pezullim i marrëveshjes së asoci’imit të Bllokut me Izraelin. Por masa nuk synon të pezullojë Këshillin e Asoci’imit, që krijoi marrëveshja BE-Izrael e që është organi kryesor që trajton marrëdhëniet mes dy palëve.

Nëse propozimi miratohet, diplomatët thanë se mosmarrëveshjet mund të diskutohen në Këshillin e Asoci’imit me Izraelin. Disa kohë më parë, Bashkimi Europian i ka kërkuar Izraelit një takim të Këshillit të Asoci’imit për të diskutuar situatën në Rripin e Gazës dhe akuzat kundër Izraelit.

Megjithatë, pas disa muajsh, nuk është arritur asnjë marrëveshje me qeverinë izraelite.

Një vendim për të pezulluar dialogun politik kërkon unanimitet, i cili konsiderohet i pamundur. Gjermania kundërshton ndërsa Hungaria, Austria dhe Republika Çeke kanë qëndruar në anën e Izraelit. Zyrtarët e BE-së theksojnë se nga këndvështrimi i Borrell-it, edhe një diskutim midis vendeve anëtare mund të përfaqësojë një sinjal të rëndësishëm politik.

Zyrtarët e BE-së shtuan se diskutimi për sanksionet ndaj importit të produkteve nga vendbanimet izraelite i dërgon një mesazh të qartë politik shtetit hebre.  Nisma në lidhje me Izraelin mund të jetë lëvizja e fundit e madhe diplomatike e Borrell-it përpara se të largohet nga zyra e përfaqësuesit të jashtëm të BE-së.