Këshilli Europian mohon të ketë plane konkrete për ngritjen e qendrave të azilit në Shqipëri. Sipas tij, “Rajonet që do t’i shërbejnë këtij synimi nuk janë identifikuar ende” ndërsa “Aktualisht, thjesht po diskutohet mundësia e eksplorimit të këtij koncepti”. Këshilli mblidhet më 28 e 29 Qershor, për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë rekomandimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por, duket se kriza e emigrantëve ka për të qenë subjekt kryesor. Çështja ka marrë tone urgjente pas përplasjes së Kancelares Gjermane Angela Merkel, me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë. Kjo pasi Horst Seehofer, këmbëngul që emigrantët të kthehen mbrapsht në kufi, por Merkel kërkon zgjidhje, me përfshirjen e BE-së.