Bota

BE-ja pa marrëveshje mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse për Ukrainën!

Udhëheqësit e Bashkimit Europian pa marrëveshje mbi përdorimin e aseteve të ngrira shtetërore të Rusisë për të ndihmuar Ukrainën. Kjo pasi Belgjika, vendi ku mbahet pjesa më e madhe e këtyre fondeve ngriti shqetësime ligjore e teknike.

Nga Komisioni Europian, disa liderë kërkuan ta vazhdojë punën lidhur me një plan për përdorimin e rreth 140 miliardë eurove nga rezervat e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, që ta mbështesin Kievin për nevojat e tij ushtarake dhe buxhetore, por disa diplomatë thanë se marrëveshja përfundimtare ende mbetet e paarritshme.

Udhëheqësit europianë u zotuan se nevojat financiare të Ukrainës do të mbulohen për dy vitet e ardhshme, deklaroi presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, pas samitit. Rusia duhet ta marrë këtë mesazh. Ukraina do të ketë burimet financiare që i nevojiten për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

Costa theksoi se është e mundur të zgjidhen çështjet teknike për të cilat nevojitet sqarim, për ta bërë të mundur përdorimin e aseteve të ngrira ruse, duke nënvizuar se “kjo zgjidhje është e arritshme”.

Bashkimi Europian i ngriu rreth 200 miliardë euro nga asetet e Bankës Qendrore të Rusisë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në vitin 2022. Deri më tani, BE-ja ka përdorur vetëm interesin e krijuar nga këto fonde për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen kundër Rusisë.

Moska paralajmëroi dje se çdo veprim me asetet ruse pa pëlqimin e saj, nuk është “i vlefshëm nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare e asaj kontraktuale”, si dhe do të “nxisë përgjigje të dhimbshme”.

Blloku europian e zhvilloi këtë skemë huaje pasi u përball me presion për të siguruar ndihmë shtesë për Kievin, për shkak se mbështetja amerikane u ngadalësua pas kthimit të Donald Trumpit në pushtet.

Sipas skemës, për të cilën Komisioni Europian këmbëngul se nuk do t’i prekë asetet sovrane ruse, Bashkimi Europian do të merrte hua fonde nga kompania Euroclear. Më pas, blloku do t’ia jepte këto para Ukrainës si hua, vend që do të duhej ta shlyente huan vetëm nëse Rusia paguan për dëmet që ka shkaktuar në Ukrainë.

Pjesa më e madhe e aseteve në fjalë ndodhet në Belgjikë. Kryeministri belg, Bart De Wever, tha se ende ka disa shqetësime.