Bashkimi Europian përsërit se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese për të cilat duhet të respektohet korniza dhe procedura e caktuar në BE. Por, është fjala vetëm për masa dhe instrumente të përkohshme, për të dëshmuar se Unioni është serioz në përpjekjet për të ulur tensionet.
Këtë e theksoi zëdhënësi për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, sot në një konferencë shtypi në selinë e Komisionit Europian në Bruksel.
Stano ka përsëritur se këto masa janë të përkohshme dhe se do të hiqen nga rendi i ditës kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërmerr hapat që kërkohen nga ai për të ulur tensionet. Ai vuri në dukje se disa nga këto masa nuk ishin të lehta për BE-në që t’i miratojë, por janë sipas tij, “janë ndërmarrë se u pa që nuk ka hapa për shtensionimin e situatës”.
Pra, fjala është për instrumente që ne përdorim për të dëshmuar se BE është serioze kur thotë se pret shtensionim të situatës dhe reagim kur një gjë e tillë nuk ndodh. Stano deklaroi se nuk është në dijeni për ndonjë takim “sekret“ në Bruksel për të cilin ka folur dje presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Sa i përket Aneksit nga Ohri dhe Marrëveshjes, për të cilën presidenti Vuçiç tha se ai nuk do ta zbatojë në tërësi, Stano u shpreh se “Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka bërë një deklaratë pas takimit në Ohër, me të cilën janë pajtuar të dyja palët dhe kjo nuk është tërhequr asnjëherë”.
Ka një lidhje të qartë mes zbatimit të aneksit dhe rrugëtimit europian. Nëse deklaratat e palëve se a e pranojnë apo jo marrëveshjen do të pasohen me veprime, kjo do të reflektohet në procesin e integrimit të tyre në BE. Nëse nuk jemi në gjendje të dalim nga ky rreth i tensioneve, atëherë pasojat do të jenë për të dyja palët.