Rajoni

BE: Roli i Ekipit Menaxhues në Kosovë përfundon vetëm kur miratohet statuti!

Roli i Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur ai statut të miratohet. Sipas Bashkimit Europian, vendimi i Prishtinës zyrtare për të shkarkuar anëtarët e tij është në kundërshtim me Marrëveshjen. Kjo u tha sot në Bruksel nga zëdhënësi i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Peter Stano.

Një ditë më parë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, liroi nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues. Ky ekip i përbërë nga katër serbë të Kosovës mori pjesë në takimin e fundit të dialogut të nivelit të lartë. Aty paraqiti dhe draftin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, propozim i cili menjëherë u hodh poshtë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për më shumë, Kurti tha se koordinatorja Danijela Vujiçiç, “është në konflikt interesi”, sepse ajo ka bërë betimin si deputete në Kuvendin e Republikës së Serbisë.

I pyetur se pjesë e cilit delegacion ishte Ekipi Menaxhues, Stano vuri në dukje se mori pjesë “më vete” dhe se “ishin ftuar të vinin e t’i bashkoheshin takimit për një pikë të rendit të ditës”.

Ata nuk ishin pjesë e një delegacioni, as të Serbisë e as të Kosovës. Përbërja e këtij ekipi është në përputhje me marrëveshjen e dialogut. Palët kishin  rënë dakord rreth përbërjes së Ekipit Menaxhues. Anëtarët u propozuan nga Serbia dhe zyrtarisht u emëruan nga Kosova.

Marrëveshjet e dialogut e thonë qartë se ekipet menaxhuese duhet të ekzistojnë derisa të miratohet statuti i Asociacionit. Ekipi Menaxhues propozoi dhe paraqiti draftin e parë, që do të thotë se nisën procesin e jo që procesi mori fund. Prandaj, vendimi për ta shkarkuar Ekipin Menaxhues shkel tekstin dhe frymën e marrëveshjes.

Pyetjes nëse a mund të thuhet se ekziston marrëveshja në tërësi, pasi presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka përsëritur se “ia ka bërë të qartë BE-së se nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes”, Stano ritheksoi:

Marrëveshja ekziston dhe Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell e ka bërë të qartë se deklarata e lëshuar nga BE-ja, është parë e pranuar edhe nga Vuçiç e nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga kjo buron detyrimi i palëve për ta zbatuar.