Aktualitet Rajoni

Begaj telefonon Osmanin: Mbështetje hetimit të plotë të aktit terrorist në Ibër-Lepenc!

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike e cënojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Begaj mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist.

Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Sulmi u cilësua akt terrorist nga autoritetet e Kosovës ndërsa u dënua edhe nga SHBA dhe BE. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, dënoi ashpër sulmin ndaj “infrastrukturës kritike në Kosovë”, pas dëmtimit të kanalit të ujit në veri.

Ne po monitorojmë nga afër situatën, do të mbështesim një hetim gjithpërfshirës dhe kemi ofruar mbështetjen e plotë për Qeverinë e Kosovës për t’u siguruar që përgjegjësit e këtij akti kriminal të identifikohen dhe mbahen përgjegjës.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se “incidenti serioz në Zubin Potok mund të ketë pasoja të rënda për furnizimin me energji dhe ujë nëpër komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës”. Diplomati kërkoi hetim të shpejtë për këtë sulm.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, u shpreh se dënon fuqishëm sulmin që prek “komunitetet kudo në

I bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe për vënie të autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme t’i mbështesë autoritetet kosovare.

Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, dënoi “sulmin ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok, i cili po lë pa furnizim me ujë pjesë të konsiderueshme të Kosovës”. Ai tha se tashmë “ka ofruar ndihmën e BE-së për autoritetet e Kosovës” dhe se “ngjarja duhet të hetohet, ndërsa përgjegjësit të vihen para drejtësisë”.

Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditët e fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese.

Policia tha se do të shtojë aktivitetet, do të rrisë prezencën në terren, “duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”.

Me shtimin e masave policore synohet të ruhet rendi e qetësia publike, të parandalohen aktet kriminale dhe të hetohen e vihen para drejtësisë “të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues.