Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha, ka deklaruar gjatë një konference për shtyp se punonjësi i policisë Enea Mekolli “është dy herë hero”, duke theksuar se rënia e tij në detyrë është dëshmi e gjendjes së rendit dhe sigurisë në vend.
“Vrasja e Enea Mekollit dëshmon në mënyrën më të qartë se rendi, ligji, siguria në këtë vend është në dorë të krimit,” u shpreh Berisha, duke shtuar se “vrasësi i tij financohej me fonde shtetërore”.
Ai shprehu ngushëllime për familjen e efektivit dhe e cilësoi atë “dëshmor të kombit”, duke theksuar se kishte ndjekur rrugën e të vëllait për t’i shërbyer Policisë së Shtetit.
Berisha akuzoi gjithashtu institucionet shtetërore për keqorganizim të operacionit, duke ngritur pyetje mbi pajisjet, planifikimin dhe zinxhirin komandues të ndërhyrjes ku humbi jetën efektivi.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë dhe Komisionit të Sigurisë në Kuvend që të hetojnë ngjarjen, duke pretenduar se duhet të shqyrtohet edhe mundësia e dekonspirimit të operacionit.
Në përfundim, Berisha nderoi kujtimin e Enea Mekollit dhe kërkoi një minutë heshtje në nder të tij.