Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte në mbrëmje në Shkodër, në takimin përmbyllës të fushatës, nga ku u shpreh plot optimizëm që jo vetëm Shkodra, por i gjithë vendi do të votojë për ndryshimin.
Kreu i Partisë Demokratike, ka zbuluar arsyen e ardhjes në Shqipëri të Chris LaCivita-s.
Berisha tha se LaCivita është tërhequr nga programi i ri i PD-së, të cilin ai e përshkroi si të frymëzuar nga filozofia reaganiane, që beson në fuqizimin e individit dhe ekonominë e tregut të lirë. Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri disa premtime kyçe, përfshirë subvencione për fermerët, zgjidhjen e çështjes së pronave, dëmshpërblime për të përndjekurit politikë dhe rritje të pagave dhe pensioneve mbi mesataren e rajonit.
Berisha akuzoi Ramën se ai di të bëjë vetëm xhonglerin, duke gënjyer jo vetëm Shkodrën. Sipas kreut të PD-së, Rama bën fushatë banale me rrena.
LEXO EDHE: “Memorandumi i Kuçit”, reagon Berisha: Shqiptarët ia kanë prerë biletën, plane qesharake!
Pjesë nga fjala e Berishës në Shkodër:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Shkodrës, më pak se tre ditë na ndajnë nga një ditë e madhe, nga një ditë që ndan historinë tonë.
Nga një ditë, në të cilën Shkodra, qytetarët e saj, do të jenë në orën më të bukur të jetës së tyre.
Do të jenë në orën e lirisë së tyre, në orën e dinjitetit të tyre, në orën e fitores së tyre.
Unë kam bindjen se 11 Maji është para së gjithash dita e shpirtit liridashës të këtij qyteti të mrekullueshëm.
Është dita në të cilën shkodranët, që kanë ruajtur më shumë se kushdo tjetër, idealin e lirisë, që kanë ruajtur dinjitetin e tyre në kohërat më të vështira, më 11 Maj do firmosin një kapitull të ri në historinë e Shkodrës dhe Shqipërisë.
Do të ndahen me një diktaturë, të cilën Europa në shekuj dhe mijëvjeçarë nuk e ka njohur.
Europa ka njohur të gjitha llojet e diktaturave, por jo kurrë narkodiktaturën.
Narkodiktatura e vendosur këto 12 vite ishte formë mizore, e pashpresë, formë e egër si çdo diktaturë tjetër, por kjo zbrazi, boshatisi Shkodrën dhe Shqipërinë më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo mynxyrë, më shumë se çdo epidemi.
Kjo diktaturë, njëlloj si ajo tjetra që kaluam, votën tuaj, vullnetin e njerëzve të lirë, e dhunoi dhe e dominoi me krimin, me drogën, me paratë e helmit.
Kjo diktaturë për 12 vite me radhë bëri pensionistët shqiptarë të vuajnë çdo vit e më shumë.
Rrogëtarët shqiptarë të vuajnë çdo vit e më shumë.
Kjo diktaturë bëri që mijëra ndërmarrje të falimentojnë, mijëra ferma të falimentojnë.
Bëri që sofra të mos ketë më pjata për ët gjithë anëtarët e shtëpisë dhe që të detyrohen prindërit, gjyshërit t’u thonë të rinjve, shkoni, merrni rrugët e botës, paçi fatin tuaj.
Miq, qytetarë të mençur të Shkodrës, atdhetarë të flaktë siç jeni, imagjinoni një moment ku kemi arritur.
U bëj thirrje ju, mendoni për një moment ku na çoi në 12 vite ky regjim.
Sot ne jemi kombi me lindshmërinë më të ulët në botë.
Sot për shkak të emigracionit ne jemi vendi me lindshmërinë më të ulët në botë sepse në 10 vite përzuri nga Shkodra dhe Shqipëria, vetëm të ri 620 mijë të rinj.
Një shtëpi pa djep, edhe e florinjtë po të jetë, është një shtëpi që mbyllet, një shtëpi pa zot, një shtëpi muze dhe asgjë më shumë.
Qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, historia na mëson se kombet edhe të fuqishme, se shtete edhe të fuqishme, edhe perandori të fuqishme janë zhdukur.
Ndaj dhe sot jemi para kësaj përgjegjësie të madhe, do të lëmë ne këtë komb të rrokulliset në greminën e historisë apo do t’i dalim zot?
Kurrën e kurrës nuk mund ta lëmë farën tonë të shuhet.
Fara jonë nuk shuhet kurrë.
A është 11 Maji pra një votë për të ndalur këtë rrokullisje të madhe?
A është 11 Maji një votë për një epokë të re për Shqipërinë?
Miqtë e mi, u ndala vetëm në këtë aspekt, po çfarë i shtyn të rinjtë tanë të marrin rrugët e dheut në një kohë kur Shkodra është vendi i pasurive përrallore?
Shumë zor të gjesh një vend tjetër të ketë një det fantastik dhe alpet madhështore në një shikim.
Shumë zor të gjesh një qytet me një liqen kaq të bukur dhe kaq të madh.
Shumë zor të gjesh një tokë siç është Nënshkodra, Misir e kaluar Misirit, tokë ndër më pjelloret.
Shumë zor të gjesh kanionet, liqenet e mrekullueshëm të Vaut të Dejës dhe Komanit.
Miq, askund nuk mund të gjesh njerëz që e njohin, e ndërtojnë dhe e shijojnë jetën më bukur se shkodranët. Njerëz punëtorë.
Atëherë miq, çfarë kanë që ikin e ikin shkodranët?
Ikin e ikin sepse kemi një regjim të pashpirt.
Sepse ky regjim pensionistët, që kishin një pension prej 142 mijë lekë në vitin 2013, por që ishte pensioni më i lartë në rajon, i la sot të fundit në rajon dhe malazezi që merrte 138 mijë lekë, merr sot 450 mijë lekë.
Sepse rumuni që merrte 164 euro rrogën minimale në kohën kur shqiptari e kishte 220 euro, sot merr 800 euro.