Zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë një takimi me drejtorin për Europën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare amerikane, ambasadorin Michael Carpenter, Bislimi tha se “Serbia nuk është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”. Si tregues për këtë mungesë gatishmërie veçoi sulmin e 29 nëntorit në Varragë të Zubin Potokut, ndaj kanalit të ujit të Ibër Lepencit e që nga Liqeni i Ujmanit furnizon me ujë gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethina, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.
Për sulmin që Kosova e konsideron “terrorist” e që është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Prishtina bën fajtor Beogradin. Por Serbia ka mohuar përfshirjen dhe tha se do ta hetojë rastin.
Ai [Bislimi] theksoi dhe nevojën që akti i agresionit i Banjskës i shtatorit të vitit të kaluar si dhe sulmi i fundit në Ibër-Lepenc të ndëshkohen me masa konkrete, në mënyrë që të parandalohet që Serbia të përsërisë sulme të përmasave të tilla që minojnë sigurinë e vendit dhe të rajonit, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu, Kosova fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit kundër Policisë. Një grup serbësh të armatosur vranë një rreshter. Gjatë shkëmbimit të zjarrit gjetën vdekjen edhe tre sulmues. Serbia mohon akuzat për përfshirje në këtë sulm, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Partia kryesore e serbëve në Kosovë ka mbështetjen e Beogradit.
Në aktakuzën e ngritur nga autoritetet në Kosovë për Banjskën, Radoiçiç konsiderohet si organizatori dhe udhëheqësi i sulmit. Kosova kërkon që Serbia ta ekstradojë.
Në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Bislimi, i cili njëherazi është edhe kryenegociator i Kosovës në procesin e dialogut tha se Kosova vazhdon të mbetet konstruktive dhe e angazhuar në dialogun për normalizimin e raporteve e që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, si dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, numri dy i qeverisë foli lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.