Këtë javë në “Vitality Vibes” ka qenë një episod ndryshe sepse me Ilvi Begollin dhe farmacisten Suzana Marën është trajtuar tema për bimët medicinale në vendin tonë. Farmacistja ka treguar disa nga metodat më të veçanta popullore dhe efektive që përdoren gjerësisht nga shqiptarët dhe jo vetëm kaq…
Si ka nisur pasioni i Suzanës për bimët?
Pasioni im për bimët ka lindur qëkur unë kam qenë në Fakultet, ka nisur me mbrojtjen time të diplomës për të cilën kam punuar gati dy vite për një bimë, e cila rritet në Shipëri dhe vaji esencial i së cilës përdoret si antiseptik i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes me profesorin që kisha atëherë në fakultet bëmë një studim gati dy vite. Kjo më bëri që të lidhesha më shumë me bimët. Më pas pata fatin që të punoj në Institutin e Mjekësisë Popullore.
Suzana ka treguar se metoda e vajit të vezës dhe vajit të dafinës janë shumë të veçanta, duke shtuar se:
Vaji i vezës përdoret për djegie, por në këtë Institut është bërë një studim për katër – pesë vjet për rezultatet e vajit të vezës në djegie.
Një metodë autoktone shqiptare është vaji i dafinës, i cili nxirret nga frutet e dafinës dhe përdoret si indikacion popullor për afonitë e zërit, pra për ikjen e zërit. Në eksperiencën time private prej 30 vitesh ky vaj përdoret jashtëzakonisht, jo vaji esencial sepse njerëzit i ngatërrojnë. Puna e këtij instituti ka qenë jashtëzakonisht e vlerësuar.
Çfarë duhet të dimë ne për sherebelën?
Sherebela është një nga bimët më të përhapura në Shqipëri dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja është principi aktiv i saj është në nivele shumë të kënaqshme dhe të këndshme. Principet aktive të bimëve nuk mund të jenë njësoj sepse varen nga niveli, lartësia ku rriten, nga zona. Sherebela rritet në Lezhë dhe në Shkodër por rritet edhe në vende të tjera dhe nga bregdeti nga jugu. Niveli i principit aktiv nuk është i njëjtë, ajo që është më e kërkuara është sherebela e Shkodrës me një cilësi të mrekullueshme.
Për çfarë funksionon sherebela? Për çfarë e përdorim ne çajin e sherebelit?
Sherebela është si antiseptik i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, pasi përmban vajëra esenciale. Përdoret për të ulur djerësitjen e tepërt, përdoret në kohën e gripit. Mund ta përdorësh edhe si një çaj pasdite, që ne nuk e kemi shumë në edukatën tonë çajin e orës 5 pasdite siç e pinë anglezët.