Sport

Bintsuka i jep një pikë në shtesë Partizanit përballë Dinamos, Skënderbeu fiton dhe ringjallet ndaj Teutës

Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Dinamos, i vlefshëm për javën e 22-të të Superiores, është mbyllur me një barazim dramatik 1-1.

Sfida ka qenë shumë e luftuar, por me Dinamon që ishte më kërkuese në ndjekje të golit, të cilin e gjeti me anë të Mandelës vetëm në fraksionin e dytë të lojës. Dinamo më pas dukej në kontroll dhe Partizani nuk ishte aq kërkues para Teqjes, i cili kaloi pjesën më të madhe të ndeshjes si spektator.

Por pikërisht në shtesën e takimit, një devijim me kokë i Bintsuka solli edhe barazimin1-1 që nuk i lejon asnjë prej skuadrave të shkëputen në kreun e klasifikimit duke mbajtur situatën mes tyre të pandryshuar. Por Vllaznia ose Egnatia kanë shansin të marrin kreun, nëse mposhtin rivalin në supersfidën e nesërme mes tyre. Partizani momentalisht në krye në kuotën e 38 pikëve, aq sa ka edhe Dinamo. Vllaznia ka 37 pikë, ndërsa Egnatia 36.

LEXO EDHE: Triumfi në kampionat, Shkëmbi: Besuam dhe ia dolëm, Tirana do marrë pikë me futboll të bukur 

Skënderbeu ka mposhtur Teutën me rezultatin 2-1. Kjo ishte dhe fitorja e parë për Ernest Gjokën me bardhekuqtë në kampionat, teksa nga ana tjetër Devolli debutoi me humbje në stolin e durrsakëve.

Një sfidë plot emocione u luajt në Korçë. Fillimisht ishte Teuta që gjeti avantazhin me Llocin. Ky i fundit shkaktoi më pas penallti, që u vendos pas rishikimit me VAR.

Bismark nuk gaboi nga pika e bardhë duke barazuar takimin. Pjesa e dytë pa korçarët të mbeteshin me 10 lojtarë, pas Bismark u largua me karton të kuq në minutën e 65-të. Dhe ky një episod që u pa me VAR.

Një tjetër karton i kuq ishte rezervuar, ndërsa Karabeci mori të verdhin e dytë. Më pas për të bërë heroin te Skënderbeu mendoi Rashica.

I ardhur nga stoli, sulmuesi që do largohet, shënoi golin e përmbysjes. Tashmë bardhekuqtë kanë 19 pikë në vendin e fundit. Në anën tjetër Teuta numëron 23 pikë dhe mban vendin e shtatë.