Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, Kreu i SPAK Klodian Braho u pyet nga deputetët edhe për raportin mes SPAK dhe Policisë së Shtetit. Konkretisht, deputeti i PS Erjo Mile e pyeti Brahon lidhur me operacionet e BKH në terren për të arrestuar persona në kërkim pa asistencën e Policisë së Shtetit, si në rastin e Adi Çobës në Durrës. Braho tha se Policia e Shtetit është një partner i pazëvendësueshëm, por shprehu rezerva se ku institucion duhet të bëjë më shumë. Braho tha se SPAK dhe BKH nuk duhet të varen nga institucione të tjera, por duhet të kenë pavarësi procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore.
Erjo Mile: Njoftuar nga mediat, konstatohet rritje aksioneve të BKH pa Praninë e Policisë? Këto aksione nëse janë të vërteta, dhe deri në çfarë mase janë, për çfarë arsyesh vijnë? Kemi të bëjmë me humbje besimi të këtyre strukturave te Policia e Shtetit. Apo ka arsye të tjera. Si është raporti që keni me Policinë e Shtetit?
Klodian Braho: Referimet e policisë janë rritur, gjatë këtij viti kemi patur referime nga Policia e Shtetit. Kemi vlerësimin me të madh për Policinë e shtetit, për të gjithë ata njerëz që punojnë. Si në çdo institucion, jo të gjithë janë njësoj, ndonjëri mund të ketë probleme me ligjin apo dyshojmë ne. Policia e Shtetit është partneri jonë i pazëvendësueshëm, nuk e zëvendësojmë ne, suksesi jonë është i lidhur me Policinë. Ne presim më shumë nga Policia e Shtetit dhe mendojmë se ka vend për më shumë, veprimet që mund të kryejë BKH edhe për arrestime të personave, janë veprime procedurale që ligji ia lejon BKH. Pengesat mund të vijnë për shkak të mungesës së një infrastrukture të dedikuar operacionale dhe taktike. Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet e tjera, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale. S’duhet të varet nga institucione të tjera. Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por jemi të bindur që duhet të kemi pavarësinë tonë procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore. Është praktikë që e kemi parë edhe në institucionet homologe në vende të tjera më të cilat bashkëpunojmë.