Pas 9 ditësh, rreth mesdite përfundoi rinumërimi i votave për zgjedhjet politike të 11 Majit në qarkun Tiranë. Në mjediset e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në kryeqytet u hapën 1 mijë e 207 kuti. Partia Demokratike me mbi 600 dhe ajo Socialiste me më shumë se 380 ishin dy forcat politike që kryesuan për numrin e votave të pamerituara. Po ashtu u konstatuan devijime votash ndërmjet kandidatëve të të njëjtit kamp, si mes demokratëve ashtu edhe socialistëve, por asnjë ndikim në rezultat. Asnjë lëvizje mandati të partive apo në renditje emrash brenda secilës prej tyre.
Më konkretisht, PD-së i hiqen 612 vota, PS-së 381, Nismës Shqipëria Bëhet, 44, Lëvizjes Bashkë 57, PSD-së 34. Nga rinumërimi, Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës iu shtuan 21 vota.
Tani që përfundoi Tirana do të vijohet me rinumërimin në qarkun e Fierit, si dhe me një pjesë të kutive të Durrësit, disa prej të cilave janë me votat e Diasporës.
Anëtarët e KAS-it, Koli Bele dhe Ledio Braho folën për mediat. Ndërsa Bele u shpreh se rinumërimi ishte korrekt, Braho theksoi se nuk pati lëvizje të konsiderueshme votash, që sipas tij, “të bënin pis procesin”.
Nuk prodhoi asnjë ndryshim dhe rezultat. Procesi i tabulimit është duke mbaruar. Ka qenë korrekt, ka qenë i mundimshëm për stafin e KQZ-së, deklaroi Bele.
Nuk kemi më akuza për trafikim votash në subjekte. Ato lëvizje që reflektohen e konsiderohen si vjedhje e manipulim, nuk janë të tilla, por gabime njerëzore apo çështje fletësh të diskutueshme në lidhje me qëndrimin se kujt i takojnë, vuri në dukje Braho.
Në një tjetër zhvillim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, certifikoi rezultatin për zgjedhjet e 11 Majit në katër qarqe të tjera të vendit. KQZ-ja shpërndau mandatet për deputetët e zgjedhur në Vlorë, Shkodër, Berat e Dibër. Certifikimi vjen pas vendimit të marrë nga Kolegji Zgjedhor për rrëzimin e ankimimit të bërë nga Partia Demokratike.