Aktualitet

Klodian Braho te ‘Ligjet’: Balluku? Mungesa e masës dëmton hetimin, për ne deputeti nuk duhet të ketë imunitet! “21 janari” nën hetim!

Kreu i SPAK Klodian Braho, ndodhet sot në Komisionin e Ligjeve duke raportuar rezultatet e strukturës për vitin 2025.

Deputeti i PD Oerd Bylykbashi, pyeti kreun e SPAK Klodian Brahon, lidhur me një strategji nga ana  e Prokurorisë së Posaçme për çështjen e imunitetit të deputetit, konkretisht të ish-numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku, e cila për shkak të këtij statusi, nuk mund të vihet në masë sigurie.

Braho refuzoi të komentonte çështjen e Ballukut, por shprehu mendimin e tij personal duke thënë se një deputet nuk duhet të kishte imunitet fare përballë ligjit.

Braho thotë se SPAK nuk miraton apo ndryshon ligje, ndërsa shtoi se ndalimi i vendosjes së masës së sigurisë për shkak të imunitetit, vështirëson punën e hetuesve si dhe e dëmton atë.

Bylykbashi: A keni një strategji për këtë rikthim të imunitetit, pasi jemi kthyer në një situatë që atë që e bëmë në 2012 u zhbë në 2026.

Braho: Çështja konkrete, qëndrimi i SPAK është publik. Sa i përket situatë kushtuese, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit por nuk ndalon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase e vështirëson jë hetim edhe e dëmton por nuk miratojmë ligje dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri ligjor. Të ishim ne pala që miratonte ndryshime ligjore, personalisht unë mendoj se s’duhet të kishte imunitet fare.

Kreu i SPAK, Klodian Braho u pyet në komisionin e Ligjeve edhe për hetimet për masakrën e 21 janarit. Braho tha se kjo është një çështje në hetim dhe nuk mund të japë më shumë komente.

Deputeti i PS, Pacaj: Jemi 16 vjet pas 21 janarit, ku 4 protestues u vranë në mes të Tiranës. Autorët kryesorë po sfidojnë si drejtësinë e re ashtu edhe të vjetër. A do të kemi drejtësi për 21 janarin, që të paktën prindërit e Aleks Nikës të shohin drejtësi?

Braho: Pyetja juaj lidhet me një çështje të ndjeshme, konkrete. Ajo që mund të themi është që çështja është në hetim, dhe hetimet vazhdojnë.
Po për 21 janarin, e pyeti edhe deputeti demokrat Gent Strazimiri duke pyetur nëse mund të merret dëshmitarë edhe ish-ambasadorin amerikan Alexander Arvizu

Strazimiri: Ka një intervistë me 21 shtator 2013, nga Arvizu, i cili thotë se: Pas 21 janarit ka një celulë antiamerikane. Dëshmon 40 e ca minuta që ai dhe ekipi i tij në ambasadë e ka ndjekur hap pas hapi, gjithçka që ishte e përgatitur dhe e organizuar që të mund të nxirrte në një veprim të detyruar forcat e rendit. Pyetja është, ekziston mundësia që të pyetet si dëshmitar Arvizu?

Braho: Nuk kam komente për çështjen konkrete. Prokurori i çështjes mund të kryejë hetime si brenda edhe jashtë vendit.