Aktualitet

Klodian Braho në krye të SPAK-ut: Të ruajmë pavarësinë!

Në një ceremoni në Prokurorinë e Posaçme, Altin Dumani i dorëzoi detyrën e drejtuesit të SPAK-ut, Klodian Brahos, i cili u emërua me 7 vota të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Braho do të udhëheqë SPAK-un për tre vitet e ardhshme dhe ka një karrierë të gjatë e të suksesshme në sistemin e drejtësisë shqiptare, duke trajtuar disa çështje të rëndësishme me ndikim të gjerë publik.

Pas marrjes së detyrës, Klodian Braho vlerësoi paraardhësin Altin Dumanin, për “guximin dhe integritetin”, duke theksuar se misioni i SPAK-ut shkon përtej mandateve individuale e do të punojnë krah për krah për të përmbushur detyrat e rëndësishme që iu janë ngarkuar.

Së pari, falënderoj Këshillin e Lartë të Prokurorisë për besimin që më dhatë. Marrja e detyrës është një angazhim i madh për të respektuar ligjin, për të ruajtur pavarësinë e SPAK-ut e për ta forcuar më tej besimin e qytetarëve në këtë institucion.

SPAK-u do të vazhdojë të forcohet si një strukturë e qëndrueshme dhe profesionale në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Falënderoj paraardhësin në detyrë, z.Kraja për vendosjen e gurëve të parë në institucion për të marrë formën që ka sot si dhe Dumanin për guximin dhe integritetin, duke përforcuar figurën e SPAK-ut, tha Braho.

Më tej, shtoi se një nga fokuset kryesore do të jetë forcimi i funksionimit të brendshëm të SPAK-ut, për të garantuar hetime të pavarura dhe të drejta. Braho theksoi se nën drejtimin e tij, prokuroria do të vazhdojë të mbrojë integritetin e të angazhohet për të siguruar drejtësi për qytetarët shqiptarë.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Altin Dumani vlerësoi ecurinë e institucionit dhe integritetit të tij, pavarësisht presioneve e sfidave të hasura.

Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit e karrierës sime. Drejtimi i SPAK-ut ka qenë një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Gjatë këtij mandati, jemi ndeshur me sfida të mëdha e presione të shumta, por sot SPAK është më i fortë, më i besueshëm dhe i konsoliduar se kurrë më parë, falë punës së palodhur të çdo punonjësi, u shpreh Dumani.

Dumani falënderuar gjithashtu partnerët ndërkombëtarë që kanë mbështetur SPAK-un në çdo hap të rrugëtimit të tij, duke e quajtur kontributin e tyre të paçmuar për rritjen e kapaciteteve dhe ngritjen e standardeve të punës.

I uroj sukses z.Braho në detyrën e re!