Aktualitet

Rrezikuan pushuesit, gjobiten me nga 500 mijë lekë dy drejtues mjetesh lundruese!

Dy drejtues mjetesh lundruese janë ndëshkuar me gjoba nga Policia Kufitare e Vlorës, pasi u konstatuan duke lëvizur në afërsi të bregut dhe rrezikuar sigurinë e pushuesve.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë evidentuar një rast në plazhin e Semanit, ku drejtuesi i një mjeti lundrues tip Jet Ski kishte lundruar pranë bregut, në zonën e pushuesve.

Për këtë shkelje, shtetasi E.D. u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues iu bllokua administrativisht.

Ndërkohë, gjatë patrullimeve në sektorin e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një tjetër mjet lundrues tip gomone, i cili lëvizte në mënyrë të paligjshme pranë pushuesve.

Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit, shtetasi J. H., nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues. Për shkeljet e konstatuara, ndaj tij u vendos gjobë prej 510 mijë lekësh të rinj, si dhe u bë bllokimi administrativ i mjetit.

Policia e Shtetit ka apeluar ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë.

Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë dhe se ndaj çdo shkelësi do të merren masa të menjëhershme me qëllim garantimin e jetës dhe sigurisë së pushuesve.