Health & Beauty Lifestyle

Bomba me sahat në fytyrë? Ekspertët paralajmërojnë rreziqet e fshehura të silikonit të lëngshëm dhe biopolimerëve!

Preparatet e pasigurta të përdorura në mjekësinë estetike, si silikoni i lëngshëm dhe biopolimerët, po cilësohen gjithnjë e më shumë nga specialistët si ndër substancat më të rrezikshme për injektim në fytyrë. Ato mund të shkaktojnë komplikime serioze dhe shpesh të pakthyeshme, sidomos kur aplikohen në buzë, faqe apo zona të ndjeshme të fytyrës.

Sipas mjekëve, këto materiale nuk shpërbëhen lehtë nga organizmi dhe në shumë raste nuk janë të miratuara për përdorime estetike. Pikërisht për këtë arsye, ato konsiderohen si një “bombë me sahat” brenda indeve të trupit, pasi efektet mund të shfaqen menjëherë ose edhe pas disa vitesh.

Ndër pasojat më të raportuara janë deformimet, nyjet e forta nën lëkurë, dhimbja, inflamacioni kronik dhe shenja të dukshme në fytyrë që shpesh mbeten të përhershme.

Sipas “U.S. Food and Drug Administration”, rreziku më serioz i fillerëve dermalë lidhet me injektimin e paqëllimshëm në enë gjaku. Në këto raste mund të bllokohet qarkullimi i gjakut, duke ulur furnizimin e indeve dhe duke shkaktuar nekrozë, pra vdekje të indit. Në situata më të rralla, por shumë serioze, janë raportuar edhe dëmtime të shikimit, verbëri dhe goditje në tru.

Pse këto materiale konsiderohen kaq të rrezikshme?

Silikoni i lëngshëm dhe biopolimerët kanë aftësinë të migrojnë nëpër inde. Kjo do të thotë se materiali i injektuar në një zonë, si buzët, mund të zhvendoset me kalimin e kohës në mjekër, faqe apo pjesë të tjera të fytyrës. Lëvizjet e muskujve, mimika dhe graviteti e përshpejtojnë këtë proces, duke krijuar asimetri dhe deformime të dukshme.

Organizmi i percepton këto substanca si trupa të huaj. Meqë nuk arrin t’i shpërbëjë, ai i izolon duke krijuar granuloma, nyje të forta dhe të ngritura nën lëkurë që mund të jenë të dhimbshme, të skuqura dhe shpesh shfaqen shumë kohë pas ndërhyrjes.

Preparatet e pasigurta, sidomos kur injektohen nga persona të pakualifikuar, mund të çojnë edhe në infeksione të përsëritura, inflamacion të vazhdueshëm dhe reaksione të vështira për t’u trajtuar.

Në rastet kur materiali futet në enë gjaku ose ushtron presion mbi inde, mund të ndodhë ndërprerje e qarkullimit dhe më pas nekrozë, e cila lë plagë dhe defekte të përhershme në fytyrë.

Dallimi mes acidit hialuronik dhe materialeve të përhershme?

Fillerët me acid hialuronik, kur përdoren në mënyrë profesionale dhe me produkte të certifikuara, kanë një avantazh të rëndësishëm: mund të shpërbëhen me enzimën hialuronidazë në rast komplikimesh. Kjo e bën ndërhyrjen më të kontrollueshme dhe më të sigurt.

Ndryshe ndodh me silikonin dhe biopolimerët. Këto materiale nuk shpërbëhen dhe nuk eliminohen lehtë nga organizmi.

Në shumë raste, e vetmja zgjidhje mbetet ndërhyrja kirurgjikale, e cila megjithatë nuk garanton heqjen e plotë të materialit për shkak të përhapjes së tij në inde.

Në mjekësinë estetike, përdorimi i preparateve të sigurta dhe të regjistruara është thelbësor. Specialistët theksojnë se pacienti duhet të jetë plotësisht i informuar për atë që i injektohet në fytyrë.

Para çdo procedure, mjeku duhet të hapë preparatin përpara pacientit, të tregojë ambalazhin, emrin e produktit, afatin e përdorimit dhe numrin serik. Çdo produkt cilësor duhet të ketë etiketë dhe të dhëna identifikuese që ruhen në dokumentacionin mjekësor.

“American Academy of Dermatology” thekson se efektet serioze anësore janë më të mundshme kur fillerët injektohen nga persona pa përgatitje të mjaftueshme mjekësore ose në ambiente jo mjekësore, si sallone apo hapësira të pakontrolluara. Për këtë arsye, këto procedura nuk duhet të konsiderohen shërbime të thjeshta kozmetike, por ndërhyrje mjekësore.

Edhe produktet cilësore mund të shkaktojnë komplikime nëse përdoren gabim. Mjeku duhet të njohë në detaje anatominë e fytyrës, enët e gjakut, thellësinë e injektimit dhe mënyrën se si sillet materiali në inde.

Komplikimet mund të ndodhin edhe në duar profesionistësh, por ndryshimi është se një mjek i trajnuar i njeh shenjat e hershme dhe reagon në kohë.

Dhimbja e fortë, ndryshimi i ngjyrës së lëkurës, zbardhja apo nxirja, mpirja dhe problemet me shikimin janë sinjale alarmi që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Problemet bëhen shumë më serioze kur procedurat kryhen nga persona pa formim të duhur mjekësor. Në këto raste, dëmtimet mund të mos trajtohen në kohë dhe të mbeten të përhershme.

Çfarë rrezikon fytyra nga produktet e pasigurta?

Pasojat mund të përfshijnë asimetri, deformime të buzëve, nyje të forta, inflamacion kronik, infeksione, dhimbje, skuqje, migrim të materialit dhe dëmtim të indeve. Në rastet më të rënda, mund të ndodhë nekrozë, e cila lë shenja të përhershme dhe ndryshon përgjithmonë pamjen e fytyrës.

Specialistët theksojnë se, ndonëse këto materiale ende përdoren në disa vende, shpesh pa transparencë ndaj pacientit, rreziqet afatgjata janë shumë të larta dhe të vështira për t’u korrigjuar.

Zgjedhja e mjekut të duhur, verifikimi i preparatit, shmangia e produkteve pa etiketë dhe trajtimi vetëm në ambiente mjekësore janë hapat bazë për të shmangur komplikime serioze.

Ekspertët paralajmërojnë se në fytyrë nuk injektohet thjesht një produkt estetik, por një substancë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndet dhe pamje për vite me radhë.