Bota

Bota drejt epokës së rrezikut!

“Liderët botërorë janë duke dështuar që të përgatiten për një epokë të re komplekse dhe shpesh të paparashikueshme për paqen, ndërsa rreziqet për mjedisin e sigurinë sa vijnë e rriten”. Kështu thuhet në një raport të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime rreth Paqes (SIPRI), me seli në kryeqytetin suedez Stokholm. Raporti me titull: “Ambienti i Paqes: Siguria në epokën e re të rreziqeve”, ofron disa rekomandime për ligjvënësit, për të tejkaluar këtë periudhë paqëndrueshmërie.

Në detaje, dokumenti tregon për mënyrën si krizat në mjedis, përfshirë ndryshimet e klimës, shkatërrimet masive dhe mungesa e burimeve, janë duke u gërshetuar me horizontin e zymtë sa i përket sigurisë, si dhe me të tjera fenomene, të tilla si pandemia koronavirus. Më shumë se 30 studiues nga SIPRI e të tjera institucione, kontribuan në hartimin e këtij raporti, nën drejtimin e Margot Wallstrom, ish-ministre për Punët e Jashtme në Suedi dhe eurokomisionere për Mjedisin.

Raporti ka në fokus përshkallëzimin e krizës së sigurisë.

Në periudhën 2010-2020, numri i konflikteve të armatosura shtetërore është dyfishuar në 56, ashtu sikurse numri i vdekjeve, si pasojë e konflikteve.

Numri i njerëzve të dëbuar me forcë, po ashtu është dyfishuar, duke shkuar në 82.4 milion.

Më 2020-ën, numri i kokave bërthamore u rrit pas disa vitesh punë për zvogëlimin e tyre dhe më 2021-shin, shpenzimet për ushtritë në botë kanë tejkaluar shifrën e 2 trilion dollarëve, çka ndodh për herë të parë në histori.

Sa u përket krizave të mjedisit, rreth 25% e gjallesave rrezikojnë të zhduken, cilësia e tokës është në rënie dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore, në nivele të paqëndrueshme.

Ndryshimet e klimës po shoqërohen me stuhi dhe valë të të nxehtit, duke rritur rrezikun për produktet e bujqësisë, në shkallë të gjerë.

Dekada e fundit është shoqëruar me rritje të tensioneve gjeopolitike, që në disa raste janë përshkallëzuar edhe mes shteteve të mëdha.

Gjithashtu, populizmi duket në rritje.

Hartuesit e raportit besojnë se bashkëpunimi është kyç për të menaxhuar krizat e ambientit dhe ato të sigurisë.