Së fundmi Brazili ka ndaluar përdorimin e aplikacionit të mesazheve ‘Telegram’ në kuadër të luftës kundër lajmeve të rreme. Gjykata e Lartë ndaloi përdorimin e aplikacionit të mesazheve pasi Telegram nuk zbatoi urdhrin e gjykatës për mbylljen e profileve të përdoruesve që përhapnin lajme të rreme.
Kreu i gjykatës, Alexandre de Moraes tha se Telegram nuk ka zbatuar vendimet e gjykatës dhe se kjo përbënte një shkelje të ligjeve të Brazilit. Moraes tha se platformat që nuk respektojnë urdhrin e gjykatës do të gjobiten me 20 mijë dollarë në ditë.

Mbyllja e ‘Telegram’ pritet të ndikojë negativisht tek presidenti Jair Bolsonaro i cili ka mbi 1 milion ndjekës dhe përmes së cilës zhvillon një pjesë të rëndësishme të fushatës së tij zgjedhore. Bolsonaro e ka konsideruar të papranueshëm vendimin e gjykatës duke pretenduar se nëpërmjet Telegram bëhen njoftime të rëndësishme lidhur me çështjet kombëtare. Ndërkaq, rikujtojmë se zgjedhjet presidenciale në Brazil pritet të mbahen në tetor.
Ndërkaq, ju sjellim në vëmendje se miliona qytetarë rusë nuk do të mund të përdorin më llogaritë e tyre në Instagram. Sipas Shërbimit Federal të Mbikëqyrjes së Telekomunikacionit dhe Medias në Rusi, njohur ndryshe si Roskomnadzor, kjo platformë u bllokua për shkak se kompania mëmë Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram, Whatsapp dhe Messenger, njoftoi se nuk do të censuronte thirrjet e përdoruesve të këtyre rrjeteve sociale kundër presidentit Putin dhe ushtarëve ruse.
Së fundmi sipërmarrësit rusë të teknologjisë do të lançojnë një aplikacion të ngjashëm me Instagram për ndarjen e fotografive. Shërbimi i ri, i njohur si Rossgram, do të jetë i disponueshëm për përdoruesit më 28 mars dhe do të ofrojë edhe akses me pagesë për disa përmbajtje.