Grindja familjare midis Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij, David dhe Victoria, ka rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhëniet e tensionuara brenda familjes Beckham.
Sipas mediave britanike, vendimi i 26-vjeçarit për t’u zhvendosur përfundimisht në Los Angeles me bashkëshorten e tij, Nicola Peltz, nuk lidhet thjesht me preferencat për stilin e jetës, por shihet si një distancim i qëllimshëm nga familja e tij.
Brooklyn dhe Nicola jetojnë në një rezidencë luksoze me vlerë 13 milionë euro, një pronë që, sipas raportimeve të “The Sun”, është kryesisht në emrin e Nicolës.
Burime për “MailOnline” tregojnë se shtëpia u financua pjesërisht nga fondi i besimit të Brooklyn, i autorizuar nga babai miliarder i Nicolës, Nelson Peltz.
Në këtë blerje, edhe çifti kontribuoi nga kursimet e tyre, gjë që thuhet se ka shkaktuar përplasje me familjen Beckham.
David dhe Victoria nuk do t’i jepnin djalit të tyre miliona euro për një shtëpi
-tha një burim, duke theksuar filozofinë e tyre për të rritur fëmijët me vlerat e punës dhe pavarësisë.
Nga ana tjetër, burime pranë familjes Peltz kanë pohuar se prindërit e Nicolës prisnin një mbështetje më të madhe financiare nga familja Beckham, duke theksuar se ata e shohin vajzën e tyre si “dritën e syrit” dhe nuk duan që asaj t’i mungojë asgjë.
Tensionet janë thelluar veçanërisht pas mungesës së Brooklyn dhe Nicolës në festimet e 50-vjetorit të David Beckham, të zhvilluara në Miami, Londër, Paris, Cotswolds dhe Skoci.
Megjithatë, burime pranë çiftit i kanë quajtur të pabaza pretendimet se Brooklyn është i bllokuar apo i kontrolluar.
Është absurde të përpiqet dikush ta shndërrojë martesën e tyre në diçka toksike. Marrëdhënia e tyre bazohet në dashuri dhe respekt
-u shprehën për “The Mirror”.
Përplasja mes familjeve Beckham dhe Peltz duket se reflekton edhe dy filozofi të ndryshme jetese: njëra e bazuar tek pavarësia dhe përkushtimi, dhe tjetra tek mbështetja e pakufishme materiale.
Kjo “luftë e heshtur”, siç e cilëson “The Sun”, pritet të vazhdojë të tërheqë vëmendjen e publikut.